Një mjet shpërthyes me origjinë të panjohur shpërtheu mbrëmë vonë para kompleksit sportiv "Skenderia " në Sarajevë. Siç njoftojnë mediet lokale, nga shpërthimi nuk ka të lënduar, por është shkaktuar dëm i konsiderueshëm. Incidentin e konfirmoi Ministria boshnjake për punë të Brendshme, prej ku njoftuan se më shumë informacione do japin pas përfundimit të hetimit.
Ndërsa qytetarët sërish dolën në protesta. Përsëritën kërkesat për dorëheqjen e qeverisë federale dhe bënë thirrje për formimin e, siç thonë ata, Qeverisë Popullore.
"Nuk e di nëse ndonjë i nevrikosur do hedh gurë. Do shohim se çfarë do ndodh. Le të shpresojmë se protestat do të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe se ata brenda do ta kuptojnë mesazhin tonë", u shpreh një protestues.
Më parë, kryeministri i Federatës së BeH-së, Nermin Nikshiq , tha se do të ishte e papërgjegjshme që të japë dorëheqjen derisa nuk ndryshohet Kodi zgjedhor. Nga ana tjetër shefi i diplomacisë austriake Sebastian Kurc paralajmëroi se protestat sociale në Bosnje mund të kthehen në konflikt etnik - fetar. Ai bëri thirrje për luftë vendimtare kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe ndryshimin e Kushtetutës. Pos kërkesave për rrëzimin e qeverisë protestuesit kërkojnë abrogimin e privatizimeve të diskutueshme, uljen e pagave të ministrave në dy rroga mesatare, si dhe heqjen e kantoneve. Petar Bllazhevski