Pas paralajmërimeve të subjekteve politike shqiptare për bojkot të mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, kryeministri Gruevski nuk beson në një akt të tillë, por shton se nëse një gjë e tillë do ndodhte, atëherë ky do të ishte një gabim nga subjektet politike shqiptare.
"Shpresoj se partitë shqiptare nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Por, nëse se e bëjnë, atëherë do ta kuptojnë se kanë bërë vlerësim të gabueshëm", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Ndërkohë, thirrje për bojkot bëri sot edhe Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" e cila i fton të gjithë votuesit shqiptarë që të mos marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni me 13 dhe 27 prill të këtij viti.
"Ftojmë edhe organizatat e tjera të shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni, Bashkësinë Fetare Islame si dhe mediat shqiptare, që të punojmë në mënyrë aktive drejt parandalimit të zgjedhjes së një presidenti të Maqedonisë të cilin shqiptarët nuk e pranojnë! Asnjë president i Maqedonisë pa votat e shqiptarëve nuk mund të jetë përfaqësues legjitim i shtetit dhe konsiderojmë që në të ardhmen, presidenti duhet të zgjidhet në Kuvend me shumicë të dyfishtë votash", - thuhet në komunikatën e "ZGJOHU!". Nga kjo lëvizje njoftuan nisjen e fushatës së takimeve me qytetarët shqiptarë, por edhe me komunitetet e tjera, për t'i udhëzuar ata që të mos marrin e fletën e votimit për president në ditën e zgjedhjeve Presidenciale, në veçanti në raundin e dytë. Gjyltene Rexhallari