Qytetarët e Sarajevës dolën edhe sot në rrugë. Me protesta paqësore ata shprehën pakënaqësinë lidhur me situatën në vend dhe përsëritën kërkesat për dorëheqjen e qeverisë federale të udhëhequr nga kryeministri Nermin Nikshiq. Turma u ndalua përpara ndërtesës së Presidencës.
E para në listën e kërkesave të protestuesve është ajo për uljen e pagave dhe të kontributeve për nëpunësit shtetëror, kërkesa për shkurtimin e shpenzimeve publike dhe anulimin e të gjitha kontratave të dëmshme të privatizimit të kompanive.
"Duhej që të kishim zjarrvënie për t'u ndërgjegjësuar. Thonë se jemi huliganë. Ne nuk jemi huliganë, por populli është i djegur krejtësisht", tha Ervin Shashiq, banor i Sarajevës.
"Do të durojmë deri në fund për ta arritur atë që kërkojmë. Nëse tërhiqemi do të tregojmë se jemi frikacakë e të pavendosur", tha Zenita Hoxhiq, banore e Sarajevës.
Kryeministri Nikshiq, bëri të ditur se është i gatshëm të jap dorëheqje nëse ka një shumicë të re parlamentare, ndërsa anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, vlerësoi se alternativa e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ndërkohë, përfaqësuesi i Lartë i BE për Bosnjë-Hercegovinën, Valentin Incko paralajmëroi se nëse situata përshkallëzohet, mund të nevojitet angazhimi i trupave të BE-së. Incko vlerësoi se situata aktuale në Bosnjë-Hercegovinë është më e keqja që prej përfundimit të luftës në vitin 1995. Deri tani, pas protestave katër ditore, dorëheqjen e kanë dhanë kryeministrat e kantoneve të Tuzlës, Zenicës dhe Sarajevës. Petar Bllazhevski