Në rajonin e Pollogut gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 1 mijë raste të plaçkitjeve nëpër shtëpi dhe objekte të ndryshme. Sipas raportit të policisë, 481 vjedhje kanë ndodhur në Tetovë ndërsa 402 vjedhje në Gostivar. Enver Murati nga Tetova tha se hajnat në mes të ditës kishin plaçkitur shitoren e tij.
"Vjedhja më ndodhi ditën e diel në ora 14 pasdite, i patën marr të gjitha gjërat ikën dhe nuk u zbulua asgjë që atëherë. Ndër shpi i kam dyqanin të kryqi i kuq atje, e kanë thyer derën i kanë marrë krejt gjërat dhe erdhi policia incizoi andej këndej dhe asgjë më që atëherë. Ditën në drekë në dy ora e hapin dyqanin i marrin dhe ikin dhe mos zbulohet asgjë kjo është katastrofë", u shpreh Enver Murati, pronar i shitores.
Qytetarët e anketuar nga ALSAT M, kërkojnë që policia në Tetovë dhe Gostivar të angazhohet më tepër në terren, për të pamundësuar që hajnat të plaçkitin nëpër shtëpi.
"Jo veç këtu por edhe në Gostivar të gjithë janë të frikësuar, popullata është e frikësuar", tha një banor.
"Fakt është hajnia shkon duke u shtuar jo duke u reduktuar", u shpreh një tjetër banor.
Ndërsa nga policia e Tetovës, kërkojnë që qytetarët të bashkëpunojnë më tepër me policët në këtë drejtim.
"Kemi vendosur që bashkëpunimi mes policisë dhe krim policisë të jetë më në nivel, të gjitha informatat që do vijnë nga uniforma të punohen nga krim policia, dhe e njëjtë ti zbatojë ato. Besoj se qytetarët duhet ta rrisin një çik më tepër bashkëpunimin me policinë, se do e kenë përkrahjen e duhur për ti zgjidh ato probleme", deklaroi Faredin Zenuni U.D. kryeshef i SPB-së së Tetovës.
Hajnat më së shumti hyjnë nëpër shtëpitë e mërgimtarëve, nga ku plaçkitin sende të vlefshmi siç janë stolitë prej ari si dhe të hollat. Bashkim Sulejmani