TIRANE- Dita e djeshme ka qënë një e shtunë e zezë për rrugët dhe bilancin e viktimave që është regjistruar në disa prej akseve rrugore në vend. Të përgatitur për t'i bërë nderimet e fundit nderit të kombit, këngëtarës Vaçe Zela, shqiptarët janë tronditur që në orët e para të ditës kur rreth orës 06:30 minuta të mëngjesit, një furgon me 11 pasagjerë që kryente linjën Shishtavec -Topojan- Kukës ka rënë nga një lartësi prej 120 metrash. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 6 persona dhe mbetën të plagosur 5 të të tjerë. Duke u bazuar mbi numrin e personave që udhëtonin në furgon, rezulton se ai ishte i mbingarkuar.
Referuar të dhënave të marra nga policia e Kukësit shkak i aksidentit ka qënë humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi, Bashkim Çuni, 21 vjeç i cili ka humbur edhe jetën në spitalin e Kukësit. Në të njëjtën qëndër spitalore kanë humbur jetën edhe Majlinda Çuni, 23 vjeç (4 muajshe shtatzënë) dhe Meleqe Seriani, 22 vjeçe (studente). Shtetasit Zekri Shehu, 65 vjeç, Feim Biba, 58 vjeç dhe Zamir Karanxha, 42 vjeç (Drejtor i shkolles së Topojanit), si pasojë e aksidentit kanë gjetur vdekjen e menjëhershme.
Për ndihmë më të specializuar janë transportuar me helikopter apo me ambulancë drejt Spitalit Ushtarak Tiranë, në gjëndje të rëndë shtetasit pak minuta pas aksidentit Xhevahir Çuni, 23 vjeç, Petrit Mustafa, 26 vjeç, Zyrie Kovaçi, 74 vjeçe dhe shtetasi Rustem Bibaj 24 vjeç. I vetmi që ka marrë dëmtime të vogla nga ky aksident tragjik ka qënë shtetasi Servet Hoxha, 21 vjeç i cili ka marrë mjekimet e nevojshme në spitalin e Kukësit si dhe ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen.
Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të plota që e shkaktuan aksidentin ndërkohë që nga të dhënat e para mësohet se drejtuesi i furgonit zotëronte vetëm patentë të nivelit B, pra "ka qënë jashtë kushteve të drejtimit të automjeteve të transportit urban", bën të ditur Policia e Kukësit.
Spitali i Traumës
Me qindra familjarë, të afërm por edhe qytetarë të thjeshtë që mësuan në lidhje me aksidentitn e ndodhur në Kukës, kanë qënë të pranishëm dje në "Spitalin e Traumës", në Tiranë. Dhoma e dhurimit të gjakut ishte e mbushur me të afërm të 5 të plagosurve që dhuronin sasi të mëdha gjaku. Të tronditur nga ngjarja familjarët kujtonin bisedat e fundit që kishin konsumuar me të afërmit e tyre. " I thashë është herët mos dil kaq shpejt në qytet se dita është e gjatë, por ai e kishte mbledhur mendjen dhe iku. Sikur ma ndjente zemra që një gjë e keqe do ndodhte", tregon i përlotur një prej familjarëve të 24 vjeçarit të plagosur Rustem Bibaj.
Ndërkohë që lutjet e familjarëve të 26 vjeçarit Petrit Mustafa, janë që ai të paktën të qëndrojë në jetë pasi mjekët i kanë njoftuar se si pasojë e dëmtimeve të rënda që ai ka marrë rrezikon të mbetet i paralizuar. "Plagët shërohen vetëm të ketë shëndet dhe jetë", mundet të thotë për Shqiptarja.com mes lotësh kushërira e Petritit. Daljet e shpeshta të kirurgëve nga salla e reanimacionit, afron mes frikës për një lajm të kobsh...