I jepet lamtumira e fundit Vaçe Zelës

2015-08-21 13

Miq, kolegë artistë, politikan e mbarë qytetarë u përkulën sot në nderim të të madhes Vaçe Zela, në homazhet e zhvilluara në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Nën tingujt e këngëve dhe zërit të saj, arkivoli me trupin e pajetë të artistes Vaçe Zela u prek nga mijëra njerëz, të cilët hodhën edhe rreshta kujtimesh, në librin e zisë. U përkulën edhe kryeministri Rama, kreu i PD-së Basha, kreu i Kuvendit Meta e dhjetëra e dhjetëra deputetë e politikanë, përfshi edhe diplomatë të huaj. Të gjithë nuk u kursyen nga fjalët, mesazhet, kujtimet dhe lotët. "Po të jetonte në një tjetër kohë, Vaçja do elektrizonte qiellin e gjithë botës", - deklaroi kryeministri Rama. Edhe ish kryeministri Berisha, i prekur tha se "ky ishte takimi i fundit, me zërin e shekullit të kombit tonë".

Pas mesditës, nën tinguj këngësh e duartrokitje njerëzish, arkivoli me Vaçe Zelën i cili mbulohej nga gonxhet e trëndafilave që hidheshin nga qytetarët, iu drejtua varrezave të Sharrës. Flamuri që mbulonte arkivolin ishte dhuratë e fëmijëve të Lushnjës, vendlindjes së saj, dërguar Vaçe Zelës në Zvicër me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Mbretëresha e muzikës shqiptare mori me vete fjalët dhe kujtimet e miqve më të mirë, mori nderimet e një kombi që e deshi aq shumë. Ajo do të pushojë përfundimisht e qetë, me amanetin e vendosur në vend, të prehjes në atdhe. Homazhi i dhimbjes, i mallit dhe gurgullimës së zërit të saj, pllakosën breza të tërë shqiptarësh. Vaçe Zela ndërroi jetë dy ditë më parë pas një sëmundje të gjatë, në krah të të cilës qëndruan i shoqi, Pjetër Rodiqi dhe e bija, Irma. Prej vitesh ajo jetonte në Bazel të Zvicrës. Pasioni për artin, pikturën, aktrimin si dhe natyrën e bënë atë të njohur edhe në Zvicër, ku lagjja ku jetonte e thërriste "zonja me gishtat e gjelbër". Admir Qose