A1 Report - Kukës, aksident tragjik, furgoni bie në humnerë, 6 të vdekur

2015-08-21 18

KUKES- Një aksident tragjik i ka marrë jetën 6 personave, ndërsa 5 të tjerë janë plagosur. Ka qenë orë gati 06:30 e mëngjesit të sotëm kur furgoni me pasagjerë i cili po udhëtonte nga fshati Shtrezë drejt Kukësit ka dalë nga rruga duke rënë në një greminë 150 metra poshtë.

Aksidenti i ndodhur në në aksin Kukës- Topojan, rreth 20 kilometra larg qytetit të Kukësit i mori jetën: Majlindës, e cila po priste të bëhej nënë; Meleqes studentes që ëndërronte të bëhej financiere e mirë; Zamirit, drejtorit të shkollës në Topojan; Bashkimit 21 vjeç i cili drejtonte furgonin por edhe Zekriut, dhe Feimit.

Ndërsa në Spitalin e Traumës 2 të plagosur po luftojnë me vdekjen dhe 2 të tjerë mbeten në gjendje të rëndë. Një djalosh rreth të 20-tat ndodhet në spitalin e Kukësit dhe nuk është transportuar në Tiranë.

Me të mësuar aksidentin dy helikopterë u nisën nga Tirana drejt Kukësit për të bërë transportimin e të plagosurve rëndë. Në mëngjes Drejtoresha e Spitalit të Kukësit, Hafije Zeneli në një prononcim telefonik për Tv A1 Report u shpreh se të plagosurit më rëndë ishin dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj udhëtoi drejt Kukësit ndërkohë që në një intervistë telefonike për A1 Report tha se dy prej të plagosurve në spitalin e traumës ishin në gjendje kritike.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak i këtij aksidenti është humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi. Ndërkohë burime hetimore bënë të ditur se shkak kishte mund të ishte një defekt teknik.

Viktimat mësohet se janë nga fshati Shtrezë, komuna Shishtavec e Kukësit. Një pasagjer i cili ka mbijetuar në aksident thotë se në momentin kur ndodhi aksidenti në makinë ishin 13 persona ndërsa zyrtarisht policia informoi se në furgon udhëtonin 11 persona.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e A1 Report dhe Shqiptarja.com dëshmojnë sa i rëndë ka qenë aksidenti.

TE VDEKUR
Majlinda Çuni, 23 vjeçe, 4 muajshe shtatzënë.
Zekri Shehur, 65 vjeç,
Feim Biba, 58 vjeç
Zamir Karanxha, 42 vjeç(Drejtor i shkolles se Topojanit)
Bashkim Çuni, 21 vjeç, (Drejtuesi i mjetit, kunati i Majlindës)
Meleqe Serianallai, 22 vjeçe

TE PLAGOSUR
Petrit Mustafa, 26 vjeç në gjëndje të rëndë ka mbetur i paralizuar
Zyrije Kovaçi, 74 vjeçe, ka politraum por është jashtë rrezikut
Xhevahir Çuni, 23 vjeç, në gjëndje kritike
Rustem Bibaj 24 vjeç në gjendje të rëndë ka mbetur i paralizuar

ORA 15:00 ZV/MINISTRI RRJEPAJ: NJËRI NGA TË PLAGOSURIT NË GJENDJE TË RËNDË
Në orën 15:00 zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, ka deklaruar se, njëri prej të plagosurve në aksidentin e Kukësit ndodhet në gjendje të kritike për jetën dhe është me frymëmarrje të drejtuar.

"Sapo u bë edhe një mbledhje me gjithë ekipet mjekësore për të aksidentuarit e sotëm në Kukës. Përsa i përket të aksidentuarve të Kukësit, 3 prej tyre janë në reanimacion, një prej tyre është në gjendje kritike, dy të tjerë janë në gjendje të rëndë, ndërsa një person tjetër është në gjendje më të mirë", tha Rrjepaj.

...