Korçë dhe Elbasan, protesta e furgonave kundër informalitetit

2015-08-21 0

Drejtuesit e furgonave 8+1 të qytetit të Korçës kanë përshkallëzuar protestat e tyre duke bllokuar stacionin e qëndrimit të furgonave dhe një kah të aksit rrugor Korçë-Pogradec. Edhe në ditën e dytë të protestave, drejtuesit e mjeteve kanë protestuar kundër konkurencës së pandershme dhe vendimit të policisë për mos lejim të marrjes së pasagjerëve në kthim.

"Ne si sindikatë e qarkut të Korçës, dega Pogradec, kemi mbështetur fuqimisht këta shoferë të cilët me të drejtën e tyre kërkojnë që në bashkëpunim me ligjet brenda rregullave të mund të ndreqin deri në një farë mase informalitetin, por njëkohësisht problemi i dytë i tyre është edhe kthimi nga destinacioni në kthim nga Tirana në Pogradec që të vijnë me pasagjerë."

"Kthimi bosh, do të thotë që ne të punojmë vetëm për karburantin. Ndërkohë që kemi dhe taksat detyrim për xhepin tonë", deklarojnë drejtuesit e furgonave të Korçës.


Ndërkohë që kanë protestuar edhe drejtuesit e automjeteve 8+1 të linjës Elbasan-Tiranë. Ata kanë pezulluar aktivitetin e tyre në shenjë proteste kundër një vendimi të policisë e cila nuk i lejon ata të marrin pasagjerë në kthim. Për pasojë, dhjetra qytetarë që kanë dashur të udhëtojnë drejt Tiranës me mjete të trasportit publik e kanë pasur të pamundur ta kryejnë këtë itenerar, duke kërkuar si alternativë makina private apo mjete të tjera transporti si taksi 4+1.

"Unë sot humba një ditë shkollore, ndoshta dhe nesër e pasnesër".

Gjithë ky popull që po rri këtu ka hall. Kush nëpër spitale, kush në hall tjetër, kush nëpër shkolla", shprehen të shqetësuar qytetarët në pamundësi për të udhëtuar drejt Tiranës.

Patrulla policie janë të vendosura në rrugën Elbasan-Tiranë, duke mos i lejuar të kthehen nga Tirana me pasagjerë.