A1 Report - Rusi, sot në orën 17:14 nisin Lojërat Olimpike, marrin pjesë 2900 atletë

2015-08-21 0

RUSI - Disa orë nga nisja zyrtare e Lojrave Olimpike, që do të zhvillohen në Sochi të Rusisë, Vladimir Putin premton se do të jetë një eveniment i paharrueshëm. Ceremonia e hapjes së Olimpiadave të Sochit do të bëhet në stadiumin 'Fisht' në orën 20:14 me orën lokale, ose 17:14 me orën tonë dhe ka kushtuar 400 milionë euro.

Në këto Olimpiada do të marrin pjesë 2900 atletë të 15 disiplinave të ndryshme, mes të cilëve edhe dy shqiptarë; Suela Mëhilli dhe Erjon Tola. Në ceremoninë e hapjes së Olimpiadave më të shtrenjta të historisë do të marrin pjesë 40 liderë botërorë, ndërsa do të qëndrojnë bosh karriket e shumë liderëve të tjerë të botës dhe të qeverive perëndimore. Siç është deklaruar edhe më herët, mospjesëmarrja e tyre bëhet në shenjë proteste për shkak të politikave të vendosura nga Moska zyrtare.

Presidenti Putin është shprehur se bota mbarë po pret këtë eveniment sportiv ku po ndihet atmosfera speciale dhe energjia pozitive. Ai shtoi se Rusia kërkon të realizojë sa më mirë këtë projekt olimpik, duke bërë ç`është e mundur që Olimpiadat e Sochi-t të jenë një evenimet dëfryes dhe i paharruar. Qeveria ruse ka investuar 86 milionë dollarë çdo vit, për 7 vite, për një total prej 602 milionë, që nga momenti që u vendos se këto Lojra Olimpike do të zhvilloheshin në Sochi.

Janë investuar gjithashtu 374 milionë dollarë në infrastrukturë sportive në përgatitje të kombëtares ruse që do të marrë pjesë në këto lojra. Organizimi i Olimpiadave të Sochi-t ka kushtuar më shumë se çdo Olimpiadë tjetër e organizuar më parë.

Përsa i përket sigurisë së këtyre lojrave, edhe pse autoritetet ruse shprehen se çdo gjë është nën kontroll, autoritetet amerikane, kanë ndaluar të gjitha materialet e lëngshme në bagazhet e dorës në udhëtimet nga SHBA në Rusi pas alarmit për pastë dhëmbësh bombë, të dhënë më herët nga shërbimet sekrete.