XHENOVA - Policia në Xhenova ka arrestuar një shqiptar të rrezikshëm, që kërkohej për vrasje. Mediat italiane njoftojnë se në pranga ka rënë Geron Xhaferaj, 31 vjeç, shqiptar për të cilin kishte një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet holandeze për veprën penale të vrasjes.
Xhaferraj është akuzuar se së bashku me shqiptarin tjetër Alfonso Idrizaj, kanë vrarë shokun e tyre Dashamir Tile, në rrugët e Amsterdamit më 21 prill 2013. Menjëherë pas ngjarjes, 31-vjeçari u largua, ndërsa bashkëpunëtori Idrizaj ishte gjurmuar dhe dënuar për vrasjen në Holandë, ku ai është arrestuar aktualisht.
Motivi i vrasjes është ende i panjohur, por dyshohet se konkurenca në trafikun e drogës mendohet të jetë shkaku kryesor. Me qëllim gjetjen e të arratisurit, policia ka vendosur të ushtrojë disa kontrolle në Xhenova, ku në tetor 2013 është pikasur Xhaferaj, në shoqërinë e një shqiptari me një histori në trafikimin e drogës.