Komisionerët e zgjedhjeve lokale ende nuk janë paguar

2015-08-21 5

Komisionerët e zgjedhjeve të fundit lokale janë ankuar sot se komuna e Tearcës, edhe pse kanë kaluar afro një vit nga mbajtja e zgjedhjeve, ende nuk i ka paguar ata. Një pjesë e tyre u shprehën për Alsat se për çështjen kanë informuar edhe Komisionin Shtetëror të zgjedhjeve, por deri tani, nuk kanë asnjë përgjigje.

"Komuna nuk ka paguar. Ne u organizuam 4 persona; unë si kryetar komisioni dhe disa kolegë dhe shkuam të kreu i komunës së Tearcës ai na premtoi se i ka lëshua mjetet, por paratë nëpër xhirollogaritë tona nuk kanë hy", tha Bejtulla Shaqiri, komisioner.

Rastin e ka konfirmuar edhe kryetari i Komisionit Zgjedhor Komunal të Tearcës Nizamedin Ameti. Ai tha se gjysmat e parave janë lëshuar, ndërsa gjysma tjetër ende jo!

"Për pjesën e parë i ka lëshuar komplet pagesën, dhe tani ne si komision komunal jemi duke ua shpërndarë të gjithë komisionarëve që ishin nëpër vend votime. Për fazën e dytë nga ana e kryetarit të komunës së Tearcës na është thënë që do realizohet gjatë javës që vjen dhe shpresojmë që edhe pjesa e mbetur do paguhet", u shpreh Nizamedin Ameti, kryetar i KKZ-së, Tearcë.

Në situatë të njëjtë janë edhe mbi 900 anëtarë të këshillave zgjedhorë të cilët ende nuk i kanë marrë plotësisht paratë. Pikërisht ky fenomen ka krijuar vështirësi në mbledhjen e anëtarëve të këshillave zgjedhore, për procesin e ardhshëm zgjedhor. Bashkim Sulejmani