Monstra afrohet drejt fundit, mbrojtja ka dyshime të reja

2015-08-21 0

Dyshime të reja të avokatëve mbrojtës lidhur me rrjedhën e procesit gjyqësor Monstra. Në seancën e sotme, eksperti i analizës së ADN-së nuk e dinte nëse ka pasur pëlhurë apo jo në ulësen e pasme të Opel Omegës, në vendin ku pretendohet se është gjetur ADN-ja e të akuzuarit Alil Demiri. Kjo sipas mbrojtjes, sjell dyshime për kurdisje të analizës.

"Për ekspertizën e Opel Omegës u tregua se vet eksperti nuk e di a ka pasur pëlhurë në vendin ku është gjetur AND-ja. Në këtë rast mund të bëhet keqpërdorim, në rastin e ADN-së të të akuzuarit. Kjo është arsyeja! Si argument për këtë dyshim është edhe fakti se deri sot nuk e kemi parë këtë veturë", deklaroi Naser Raufi, avokat.

Para gjykatës po ripërsëriten të gjitha ekspertizat dhe dëshmitarët pas kyçjes në procesin gjyqësor edhe të akuzuarit të shtatë, Sami Lutës. Dy të akuzuarit, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq vazhdojnë të jenë të pakapshëm për gjykatën, ndërsa vuajnë burgun në Prishtinë për armëmbajtje pa leje. Avokati Naser Raufi bën të ditur se Ministria kosovare e Drejtësisë ka ndaluar procedurën e ekstradimit. Kosovarët përveç aktakuzës, kërkojnë edhe prova për përfshirjen e të akuzuarve në krim, për të kompletuar ekstradimin.

"Vetë Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, përveç aktakuzës kërkon edhe prova. Në këtë rast nuk janë dorëzuar dhe kjo është arsyeja se pse kërkohen prova, që të mund eventualisht të bëhet ekstradimi. Sepse sipas meje ekstradimi duhet të ndalohet, dhe është i ndaluar, nëse nuk ka prova përveç aktakuzës", u shpreh Naser Raufi, avokat.

Procesi gjyqësor Monstra, një prej proceseve gjyqësore më të ndërlikuara dhe më të përfolura në opinion që po zgjat prej 22 muajsh tashmë, po afrohet drejt fundit. Priten edhe disa seanca deri në marrjen e verdiktit përfundimtar. Gjasat janë që vendimi të jepet në muajin mars.

"Para thuajse dy vitesh në këtë vend ndodhi vrasja e pesëfishtë që tronditi banorët e Shkupit. Procesi gjyqësor për këtë rast ende po vijon, ndërsa motivi kryesor i prononcuar nga policia, se bëhet fjalë për radikalë islamik, nuk u vërtetua asnjëherë"! Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange