Vëllai i këngëtares së madhe Hysnii Zela, po ashtu këngëtar, është shfaqur shumë i pikëlluar në komunikim telefonik me "A1 Report".
Hysni Zela bëri të ditur se këngëtarja ka mbyllur sytë në orën 2.00 të mëngjesit të sotëm.
"Gjë më të rëndë nuk kemi përjetuar. Jashtëzakonisht e rëndë. Ah mor bir, ç'të të them më tepër. Ne ngushëllohemi vetë dhe i falenderojmë gjithë artistët dhe njerëzit. Edhe ju që flisni ju përgëzoj të gjithëve për këtë. Ju faleminderit shumë", ka thënë mes psherëtimave të dhimbjes artisti Zela, duke shtuar se nuk gjen dot fjalë të shprehet.
"Jam shumë i emocionuar", ka vijuar ai, ndërsa ka bërë të ditur se pesë muajt e fundit Vaçja ka qenë e sëmurë dhe e shtruar në spital.
"Ka qenë shtruar në spital e ka ndenjur pesë muaj në spital. Tani ka dy javë që ishte nxjerrë nga spitali e i dukej sikur ishte prapë në spital", ka bërë të ditur vëllai i këngëtares.
"Gjithmonë ka qenë njeri tepër i veçantë, e ndjeshme. E ndjente largimin larg vendit të vet, donte gjithmonë të vinte, por smëundja që kishte nuk e lejonte të vinte, as mjekët. Atje ka rregulla, e dini mirë ju".
I pyetur se kur do të mbërrijë në Shqipëri trupi i pajetë i këngëtares, Hysni Zela bëri të ditur se pritet të vijë nesër.
"Folëm me vajzën dhe na tha se duhen shumë dokumente për ta prurë. Fjala është për nesër. Nëse jo do të vijë nga Zvicra në Prishtinë e më pas me makinë nga Prishtina në Tiranë", shpjegoi Zela.
Ai shtoi se nuk mund të kishte vend tjetër për tu prehur artistja Vaçe Zela.
"Do të vijë këtu mo bir patjetër! Në atdhe mo shpirt. Këtu i kemi të gjithë eshtrat, të prindërve e të tjerë. Natyrisht... Është dhimbje e madhe shumë. Po ngushëllohemi me artistët, miqtë e Vaçes dhe të mitë. Ju falenderoj e të keni gëzime në familje", e mbylli bisedën artisti Hysni Zela, vëllai i të madhes Vaçe Zela.