Vatikani duhet të `largojë menjëherë` të gjithë priftërinjtë që janë identifikuar si të përgjegjshëm dhe që dyshohen se kanë abuzuar me të mitur dhe ata duhet të denoncohen tek autoritetet përkatëse. Kjo thuhet në një raport të sotëm, të nxjerrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku Vatikani akuzohet dhe duhet të nisë menjëherë hetimet për rastet e paraqitura për pedofili, brenda Klerit. Organi i kontrollit të OKB-së për të drejtat e fëmijëve, është shprehur se Selia e Shenjtë duhet të dorëzojë arkivat me të dhëna, në lidhje me abuzimet seksuale ndaj dhjetëra dhe mijëra fëmijëve. Vetëm kështu do të bëhet i mundur gjykimi i autorëve që kanë kryer këto abuzime, si edhe i personave që i kanë mbuluar ata. OKB-ja shprehet shumë e preokupuar rreth kësaj çështje, për vetë faktin se Selia e Shenjtë nuk ka qenë në dijeni të krimeve të kryera dhe nuk ka marrë masat e nevojshme, për të menaxhuar rastet e abuzimeve me të mitur. Gjithashtu, Vatikani ka adaptuar politika dhe praktika që kanë çuar në ndjekje të abuzimeve dhe në mosndëshkim të autorëve të krimit. Vatikani nga ana e tij duhet të nxjerrë një komunikatë për shtyp në lidhje me këtë raport. Ndërkohë, Organi i kontrollit të OKB-së për të drejtat e të miturve, thotë se Kisha Katolike nuk ka marrë ende masa për të ndaluar përsëritjen e një serie skandalesh të kohëve të fundit. Sipas OKB-së, kjo gjë bëhet për të respektuar `Kodin e Heshtjes`, që u është impostuar të gjithë anëtarëve të Klerit dhe për këtë arsye, rastet e abuzimeve me të mitur nga ana e priftërinjve janë denoncuar me vështirësi tek autoritetet kompetente të qyteteve ku ato janë kryer.