A1 Report - Grabitja në TEG, e babagjyshët lanë gjurmë në daljen e emergjencës

2015-08-21 1

TIRANE- Policia e Tiranës ka siguruar gjurmën e një dore, si provën e dyshuar të njërit prej babagjyshëve grabitës të Qendrës Tregtare, Tirana East Gate (TEG).

Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme pranë prokurorisë së kryeqytetit, dhe përbën një provë kyçe për grupin hetimor në zbardhjen e ngjarjes.

Të njëjtat burime thanë se gjurma është gjetur në derën e daljes së emergjencës, nga e cila kanë kaluar grabitësit pasi kryen plaçkitjen e argjendarive dhe sendeve të florinjta në dyqanin e katit të parë të qendrës tregtare.

Është një derë që nuk përdoret gjatë ditës, dhe se pastrohet thuajse çdo ditë, ndaj ekspertët kanë qenë të sigurtë se gjurma lidhet me ngjarjen.

Autorët kanë përdorur doreza gjatë grabitjes, dhe dyshohet se kanë nisur t'i heqin ato në dalje.

Nga krahasimi i kryer me gjurmët e kontigjentëve me tendenca për kryerjen e ngjarjeve kriminale në Shqipëri, pëllëmba ka rezultuar e pastër, e paimplikuar në asnjë nga këto ngjarje.

Në cilësinë e provës materiale janë edhe gëzhojat e qitura nga dy breshëritë gjatë largimit prej grabitësve.

Sipas organit të akuzës gëzhojat i përkasin të njëjtës armë, dhe nga ekzeprtiza balistike nuk rezultojnë të jenë qitur nga asnjë prej dy automatikëve të gjetura në një kontenier mbeturinash pranë spitalit të Senatoriumit të nesërmen e ngjarjes.

Armët e gjetura dyshohen të jenë hedhur nga posejduesit ndoshta të frikësuar se do ua gjente policia gjatë kontrolleve.

Hetuesit dyshojnë se armët dhe personat që i kanë hedhur ato në kontenier nuk kanë lidhje me grabitjen e TEG.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 dhjetorit, kur 4 persona të veshur si babagjyshë të krishlindjeve hynë në TEG dhe grabitën sende me vlerë dhe argjendari, me vlerë mbi 200 mijë euro.

Ngjarja është ende pa autor, ndërsa policia ka piketuar dhe po mban në survejim disa grupe grabitëse të zonës së Fushë-Krujës dhe Laçit, ndërsa ka dyshime që autorët mund të jenë edhe kosovarë.