TIRANE- Tre ditë para se policia të bënte publike megaoperacionin e shkatërrimit të bandës së tritolit, bashkëshortja e njërit prej kushërinjëve Mëhillaj, të cilët arritën t'i shpëtonin arrestimit, nuk është paraqitur në punë.
Bëhet fjalë për bashkëshorten e Genis Mëhillaj, e cila mban postin e nëndrejtoreshës së Institucionit të Shëndetit Publik në Vlorë.
Sipas burimeve për A1 Report nga ana e këtij institucioni, Blerta Mëhillaj, nuk paraqitej në punë 3 ditë para se policia të njoftonte më 29 janar shkatërrimin e bandës së tritolit, pjesë e së cilës ishin edhe kushërinjtë Genis Mëhillaj dhe Andon Mëhillaj.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dyshojnë se ky operacion u dekonspirua duke ndihmuar largimin pa gjurmë të dy kushërinjve të cilët dyshohet se kanë vepruar si sekserë mes porositësve dhe Julian Sinanajt për vrasjet me pagesë.
Tashmë ka nisur një procedimin penal për "nxjerrje të sekretit hetimor", për funksionarët publikë, të cilët kanë publikuar informacione jozyrtare, lidhur me operacionin dhe hetimet, në kuadër të të cilave janë arrestuar disa persona të dyshuar si të përfshirë në vepra të rënda penale, ndër të tjera edhe vrasje me pagesë.
Sipas të dhënave, hetimi ka nisur sërish nga Vlora dhe në fokus janë dy oficerë policie, ku njëri prej tyre i përket policisë së Vlorës dhe tjetri policisë së Tiranës.
Edhe pse në sistemin TIMS dy të superkërkuarit nuk rezultojnë të kenë lëvizur jashtë vendit, porositësit e krimeve, sipas policisë mund të jenë të pajisur edhe me dokumente të tjera identifikimi ose mund të kenë lëvizur në rrugë tokësore. Policia ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion që do të mund të çojë në arrestimin e kushërinjve.
Deri tani si pjesë e bandës së tritolit janë arrestuar Marjon Mitro, Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokonaj. Ndërsa biznesmeni Ilir Karçini u arrestua si i akuzuar se ka porositur tek kjo bandë vrasjen e biznesmenit Piro Bare.