TIRANE- Kanceri ka shenja, por edhe pse në mjaft raste janë të heshtura, ato mund të kuptohen. E rëndësishme është që qytetarët të ndërgjegjësohen për të kryer kontrolle të vazhdueshme për të diagnostikuar në kohë sëmundjen, në mënyrë që edhe kurimi të jetë efikas. Ky është mesazhi që japin mjekët në Ditën Botërore Kundër Kancerit. Por kur një mesazh i tillë vjen nga një grua që është përballur dy herë me këtë sëmundje bëhet edhe më i fortë. Ilirjana rrëfen në emisionin "Urbanika" përballjen e saj të përditshme me sëmundjen e kancerit.
"Nëse para disa vitesh shihje mosha më të vjetra, tashmë sheh se kjo sëmundje nuk po kursen as moshat e reja. Nevojitet sensibilizim për këtë sëmundje. Unë mendoj se nëse i kam shpëtuar kësaj sëmundje është edhe fat. Por them se nëse sëmundja kapet në kohë mund të lufohet. Kjo sëmundje nuk kuptohet kollaj, se është shumë tinëzare. Sensibilizimi në media është i domosdoshëm. Kur kjo sëmundje të jep dhimbje, atëherë probabiliteti i mbijetesës është shumë i vogël. Kur më kanë dërguar për të bërë një mamografi para 19 vjetësh, lëxova një broshurë ku lexova se nëse kapet në fazat e para sëmundja mund të kurohet.
Jam nënë e një fëmije handikap, dhe jam shumë e vëmendshme kur mjekët dalin në televizor. Kështu që fiksoj të gjitha shenjat e sëmundjeve. Unë jam muzikante me profesion. Kam dëgjuar se kanceri i gjirit jep një shenjë të një tërheqje të lëkurës në gjoks, dhe sapo ndjeva diçka të tillë, menjëherë iu drejtova mjekut. Isha rreth 45 vjeç në atë periudhë. Duke qene pedagogë por edhe nënë e një fëmije që kishte nevojë për mua, atëherë unë pranova të bëj operacion të plotë, mjafton që të kisha jetën për fëmijën tim. Motivi është shumë i fortë për të luftuar një sëmundje. Sot pas 19 vjetësh e vë re se motivi është shumë i fortë. Mbas herës së parë që u diagnostifikova pyeta nëse a do mundesha të punoja, dhe kam vijuar të punoj. Stresi ndikon negativisht padyshim. Kur ti mendon se ke rikuperuar gjendjen, i rikthehesh jetës normale. Mbase njeriu jeten pas një beteje i përjashton të gjitha vogëlsitë".
Doktor Agim Sallaku tha se "nëse sëmundja diagnostikohet dhe kurohet mirë, atëherë jeta e pacientet pas rikuperimit është ashtu si më parë. Ne kemi dhjetëra shembuj si Ilirjana që janë në aktivitet të plotë jetësor. Duhet kuptuar që kualiteti i jetës nuk cënohet më. Ky është mesazhi që njerëzit duhet të kuptojnë. Kanceri nuk është më një fatalitet, por për të duhet të informohesh, të ndërgjegjësohesh për të parandaluar dhe për të diagnostikuar herët".
"Ndjenja e madhe e përgjegjësisë ndoshta më shkaktoi kancerin për herë të dytë. Duhet pranuar dhe thënë se një pjesë e mirë e fillojnë terapinë, por duhet përballuar. Sepse ajo t'i ul parametrat jetësorë. Por ama duhet ditur se ky është urdhri i ilaçit dhe në sajë të kësaj do të shoqërohesh me rënie flokësh. Unë nuk e mbajta paruken, nuk më shkonte, dhe mbaja shall. Kur dilja me shall tek shkalla tjetër, thanë ajo në atë moshë po bëhet dhe trendi, por del me shami. Ndë...