TIRANË- Ministri britanik për Çështjet Evropiane, David Lidington siguroi ministren Gjosha se Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë Shqipërinë në rrugën europiane dhe në realizimin e reformave, ku parësore sipas tij është forcimi i shtetit të së drejtës.
Këtë deklaratë Lidington e bëri në një konferencë të përbashkët me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha sot pasdite.
"Përpjekjet për të fuqizuar shtetin së drejtës do të jenë drejtpërdrejt në rritjen e investimeve në këtë vend. Sepse çdo biznes kërkon tanimë sigurinë që kur të investojë në një vend të mund të apelojë në një sistem të drejtë gjyqësor dhe jo në një sistem që jep një vendim të njëanshëm.
Sipas ministrit britanik për Çështjet Europiane, David Lidington Shqipëria ka përpara një plan ambicioz reformash që duhet të përmbushen për aderimin e vendit në BE.
"Unë e vlerësoj shumë angazhimin e fuqishëm që ka pasur Shqipëria në këtë plan ambicioz reformash, e sidomos për reforma me rëndësi, forcimi i shtetit të së drejtës, në gjyqësor, dhe në zbatimin e të drejtave të njeriut, por plani për aderimin në Bashkimi Europian është plan sfidues siç ishte dhe rasti konkret i Kroacisë",- tha Lidington nga Ministria e Integrimit në Tiranë.
Ndëkohë, ministrja e integrimit garantoi homologun britanik, se do vijojë punë për realizmin e reformave.
"E informova ministrin në lidhje me angazhimin e qeverisë për vazhdimësinë e reformave në vend. Rezultatet e arritura në një periudhë afatshkurtër janë dëshmia më e mirë për vullnetin e palëkundur që kemi në këtë drejtim', tha ministrja Gjosha.
Lidingnton më herët u takua me ministrin e Jashtëm Dimtir Bushati, teksa në qëndër të takimit ka qënë puna e qeverisë për realizimin e reformave në kuadër të integrimit europian.