A1 Report - Tirane, parandalohet nje tjeter atentat me bombe me celular

2015-08-21 6

TIRANE- Një atentat me bombë celular është mundur të parandalohet nga policia paraditen e sotme. Gjatë operacionit të realizuar nga policia rreth orës 10:00 në një lokal në kilometrin e 11 të autostradës Tiranë-Vorë, u bllokua eksplozivi i lidhur me celular.

Policia ka arrestuar në flagrancë 30-vjeçarin, Albert Stafa, person me precedent të rëndë penal, i cili në momentin e arrestimit ishte në fazën e montimit të bombës me celular.

Blutë e Tiranës kanë sekuestruar lëndën eksplozive të llojit tritol, e cila po montohej, si dhe celularin. "A1 Report" siguron fotot e lëndës eksplozive dhe të celularit, që po montoheshin për të realizuar bombën celular gjë që u arrit të parandalohej nga policia.

Ndërkaq nuk bëhet i ditur identiteti i objektivit ndaj të cilit po tentohej të realizohej atentati me bombë me celular, si dhe nuk dihen ende motivet.

Pas arrestimit të 30-vjeçarit, po vijojnë hetime për zbulimin dhe kapjen e porositësit, si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.