A1 Report - PD: Qeveria heq 18 mije ha toke per kompensim te ish-pronareve

2015-08-21 0

TIRANË- Partia Demokratike e ka quajtur anti-kushtetues vendimin e qeverisë për heqjen e një sipërfaqeje prej 18 076 hektarë tokë bujqësore nga fondi i kompensimit fizik për ish-pronarët.

Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, "Ky veprim nuk bëhet për interes publik, por për interesa private e klienteliste".

"Me këtë vendim qeveria çoi në zero fondin e tokës bujqësore, që ishte planifikuar t'i shpërndahej ish-pronarëve për kompensimin fizik.

Me këtë vendim, Edi Rama u bëri të qartë ish-pronarëve se qeveria e tij, nuk do të kompensojë asnjë prej tyre, fizikisht, me tokë bujqësore.

Ky është një vendim antiligjor dhe antikushtetues, pasi Fondi i kompensimit për-ish-pronarët, nuk mund të preket nga asnjë qeveri për interesa private, përveçse për interes publik", shprehet Tabaku.

Sipas saj, "Me këtë akt, Rama nxori në pah mashtrimin e tij të madh që u bëri ish pronarëve në zgjedhje, si dhe cenoi haptazi parimin e sigurisë juridike, pasi janë bërë tashmë aplikime për kompensim fizik nga ky fond".

PD-ja thekson se "Ky vendim bie ndesh edhe me detyrimet që ka lënë Gjykata e Strasburgut në vendimin pilot të saj në çështjen 'Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë', ku i kërkohet autoriteteve shqiptare që të fillojnë shfrytëzimin e formave të kompesimit fizik. Afati për të hartuar një skemë shperndarjeje të ketij fondi ishte fundi i vitit 2013 dhe aplikimi i kesaj skeme, pikërisht viti 2014.

Zerimi i ketij fondi, duke ia hequr ish-pronarëve dhe duke ia kaluar klientëve të Ramës, padyshim që do të zhbëjë tërësisht besueshmërinë e qeverisë jo vetëm ndaj kësaj pjese të shoqërisë sonë por edhe ndaj Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo vendimmarrje, antiligjore, antikushtetuese e Edi Ramës, në dëm të ish pronarëve, do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në shqyrtimin e qindra ankesave të pezulluara nga Gjykata e Strasburgut, duke rënduar në këtë mënyrë faturën financiare që do të duhet të përballojë Buxheti i Shtetit".

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të anulojë sa më shpejt këtë vendim, t'i kërkojë falje ish pronarëve për këtë hap antikushetutes dhe të informoje sa më parë Gjykatën e Strasburgut, "për të shmangur dëmin e jashtëzakonshëm që po i krijon shqiptarëve si në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe në ekonominë e secilit prej tyre".