TIRANE- Situata në shkolla edhe universitete duhet të ndryshojë menjëherë, duke u larguar nga fenomenet korruptive. Çdo institucion arsimor do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm për nivelin e nxënësve që nxjerrin nga bankat e shkollës, por njëkohësisht edhe për cilësinë e diplomave që lëshojnë. Sipas saj, nga vëzhgimet e bëra deri më tani rezultojnë se shumë diploma janë lëshuar për studentë të cilët kanë frekuentuar shumë pak auditorët e universiteteve, ndërkohë që në arsimin parauniversitar kjo situatë është disi më e mirë.
Kjo ka qenë deklarata e Ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, e cila tha se institucionet arsimore njëherë e mirë duhet të shkëputen nga politika. "Ajo që është sot e rëndësishme për arsimin është cilësia e diplomave. Ne jemi të vendosur për të kaluar njëherë e përgjithmonë në kuptimin e largimit të shkollës nga politika, e të largimit nga procedura dhe përvoja që nuk i kanë shërbyer arsimit lidhen me aktet nepotike, klienteliste pse jo edhe korruptive të vendosjes të gjithë linjës drejtuese të arsimit duke filluar që nga mësuesi e kështu me radhë" tha Nikolla.
Kurset
Një urdhër tjetër i Ministrisë së Arsimit ka të bëjë edhe me kurset e kualifikimit, ku çdo mësues duhet ti nënshtrohet atyre për të ecur me edukimin në vazhdim. "Do të marrim shkollë për shkollë, mësues për mësues pse jo emër për emër për çdo grup lënde në çdo mësues, të gjithë nevojat që mësuesit kanë në kualifikim. Nga ana tjetër do të kemi edhe procese kualifikuese që kanë me bazë shkollën, që kanë me bazë grup lënde të caktuara duke rritur kompeticionin." tha Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit. Sipas saj, nëse mësuesit do të jenë të përgatitur mirë atëherë edhe produkti që do të nxjerrin, do të jetë nxënës me shumë dije dhe mbi nivelet mesatare.
Fizkultura
Një tjetër risi për shkollat në të gjithë vendin, këtë shtator do të ketë më shumë orë të edukimit fizik, pasi nxënësit rezultojnë të jenë "demblë. Rritja e orëve të edukimit fizik, por edhe kryerja e tyre është shumë e rëndësishme në ditët e sotme, kur numri i fëmijëve obezë ka shënuar një rritje të ndjeshme, dhe orët që fëmijët luajnë janë shumë të kufizuara. "Bëjmë me dije që në shtatorin që vjen, pra në vitin e ri akademik ne do të kemi një situatë të përmirësuar, përsa i përket rritjes së orëve të edukimit fizik.
Ndërkohë derisa të shkojmë deri atje, në çdo drejtori arsimore, respektivisht në 12 qarqet e vendit, ne do të kemi një person përgjegjës, që investigon në të gjithë situatën me orët e edukimit fizik, me burimet njerëzore, me aktivitetet sportive, me terrenet sportive e kështu me radhë", tha Nikolla. Këto deklarata ministrja e arsimit i bëri gjatë një takimi me Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë. Gjatë kësaj tryeze, përfaqësuesit e sindikatave kanë përcjellë edhe disa probleme, si uljen e ngarkesës mësimore, dhënien e pagës së 13, shpërblime deri në 2 paga për mësuesit që dalin në pension. Ndërkohë që në planet e mëvonshme parashikohet nën shkrimi i nj...