VMRO refuzon BDI-në, del me kandidat të vetin për president

2015-08-21 0

VMRO DPMNE-ja do ta zgjedhë kandidatin presidencial në procedurë të brendshme partiake dhe me votim të fshehtë të delegatëve të saj. Kjo nënkupton edhe refuzim i ofertës së BDI-së për kandidat presidencial që do të merrte dritë jeshile edhe nga partia e Ahmetit. Sipas Ilija Dimovskit, kandidati i VMRO-së do të pasqyrojë interesat shtetërore dhe kombëtare të maqedonasve. Paralajmërimet e BDI-së se do të shqyrtojnë zgjedhjet e parakohshme nëse nuk ka marrëveshje për kandidatin presidencial, po shqyrtohen seriozisht në VMRO. Partia e Gruevskit shprehet e gatshme për zgjedhje të dyfishta.

"Qëndrimet e BDI-së hapin çështje të reja të cilat meritojnë analizë serioze dhe ndjekje serioze të situatës. Ne në vazhdimësi i qasemi me seriozitet këtyre çështjeve, por vendimi për kandidat presidencial do të bazohet në vlerësimin për realizimin e interesave shtetërore dhe kombëtare", deklaroi Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

BDI-ja vlerëson se ende ka kohë të mjaftueshme që megjithatë të arrihet gjuhë e përbashkët rreth presidentit konsensual. Çdo kandidat i njëanshëm i VMRO-së, pa votën shqiptare, sipas BDI-së do të jetë president jo-legjitim.

"BDI-ja është shumë serioze në propozimin e saj që kryetari i ardhshëm i Maqedonisë të reflektojë edhe vullnetin e shumicës shqiptare. Kryetari i Maqedonisë që nuk e ka pëlqimin e shumicës shqiptare do të jetë kryetar jo-legjitim. Sinjalet e tilla janë jo të mira dhe mund të komplikojnë skenën politike", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Kryesia Qendrore e PDSH-së e mbledhur mbrëmë në Gostivar nuk ka sjellë vendim nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale, por i quajnë ato të parëndësishme për shqiptarët. Zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare, PDSH-ja i vlerëson vetëm si vegël që VMRO dhe BDI të fitojnë një tjetër mandat.

"Për zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare PDSH-ja është e gatshme, edhe pse VMRO nëpërmjet BDI-së tenton të hyj në zgjedhje, e paaftë për ta zhbllokuar procesin integrues dhe problemet e shumta në vend, në veçanti për ne si PDSH problemet e shqiptarëve dhe me mashtrime të reja para qytetarëve duke mos i zgjidhur problemet e vjetra, duan ta marrin pushtetin përsëri", thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Të gjitha partitë politike më së voni më 13 mars duhet të dorëzojnë kandidaturat e tyre për presidentin e shtetit. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 13 prill, ndërsa fushata duhet të fillojë 20 ditë më herët, më 24 mars. Benjamin Arifi