A1 Report - Gjakmarrja, prokuroria: Brenda 15 shkurtit lista e familjeve në gjak

2015-08-21 2

SHKODER- Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar që të identifikohen të gjitha familjet e ngujuara nga frika e gjakmarrjes dhe të dërgohen për ndjekje penale përgjegjësit, që nxisin dhe kanosin për këtë fenomen të përhapur masivisht në Veri të vendit.

Urdhri është lëshuar nga kreu i prokurorisë së qytetit verior, Besnik Cani, i cili u drejtohet jo vetëm strukturave policore dhe organit të akuzës, por edhe njësive vendore, pjesë e Rrethit të Shkodrës.

Me shkresën që i dërgohet 23 njësive vendore prokurori kërkon përpilimin e listës së familjeve në gjak deri në 15 shkurt.

"U kemi dërguar shkresa 23 njësive vendore dhe kemi kërkuar evidentimin e familjeve në gjakmarrje. Do të marrim dëshmitë e të gjithë të ngujuarve. Ata që kërcënojnë se do të marrin gjak do të ndiqen penalisht", tha prokurori i rrethit Shkodër Besnik Cani.

Urdhri për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në këtë drejtim vjen rreth një muaj pasi Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkoi marrjen e masave për parandalimin dhe goditjen e fenomenit të gjakmarrjes.

Aksioni do të zgjasë 4 muaj dhe ka të bëjë edhe me dokumentimin e vrasjeve pa autor.