DURRES- Durrësi tashmë ka një Zyre të re Pune, ku mund të drejtohen të gjithë qytetarët. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të ambienteve të reja, kryeministri Edi Rama tha se realizimi i Zyrës së Punës është bërë në një kohë rekord. Kreu i qeverisë vuri theksin në rëndësinë e rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, duke theksuar se rritja e punësimit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë.
"Kjo Zyrë është mishërim i modelit të ri të punësimit. Kjo nismë nevojitet për transformimin rrënjësor të të gjithë rrjetit të Zyrave të Punës në Shqipëri. Kjo është një mbështetje që përfshin komponentë të sektorit privat për të siguruar mbështetjen jo vetëm financiare që kjo punë të realizohet në një kohë rekord.
Nuk hapim thjesht një zyrë por krijojmë një tjetër çështje graviteti për të tërhequr në një pikë të vetme sipërmarrësimit, punëdhënësit dhe punëkërkuesit. Këto zyra nuk janë të vlefshme thjesht për ata që duan të gjejnë një punë, por edhe për ata që kanë punë për të ofruar dhe nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit me aftësitë dhe cilësitë që kërkon një vend i caktuar pune. Në këtë aspekt kemi shumë për të bërë, pasi është një punë informimi për këtë mekanizëm të ri që i shërben punëkërkuesve, punëmarrësve. Dhe këtu do na duhet mbështetja e përfaqësive të biznesit, dhomave të tregtisë, autoriteteve vendore etj, që na japin një vlerë të madhe që këto vende punë të bëhen të njohurqa për të gjithë ata që kërkojnë një punë.
Ne e kemi caktuar si prioritet hapjen e zyrave të punës në këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, jo vetëm për të realizuar në kushte të përshtatshme pritjen e punëkërkuesve tanë, por edhe për të realizuar objektivin e tyre për të gjetur një punë. Ky është një prioritet edhe i programit tonë në këtë fazë të parë të qeverrijes për të rritur punësimin", tha kryeministri Rama.
"Qeveria do të bëjë praktikisht atë që ministri Veliaj ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke garantuar ndërveprimin reciprok mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Zyrat e punës do t'i shërbejnë tejkalimit të një dobësie të tregut të punës. Do të luftojë varfërinë, do aktivizojë burimet njerëzore të vendit, dhe do të mirëadministrohet tregu i punës. Zyrat e Punës janë të rëndësishme për realzimin e këtyre tre aspekteve", u shpreh Rama.
Rama u ndal tek gjendja e zyrës së mëparshme të punës e cila ndodhej në një apartament në fund të një rruge dytësore të qytetit të Durrësit.
Kreu i qeverisë tha se nisma për përmirësimin e kushteve në zyrat e punës, dhe rritjes së cilësisë së shërbimit në këto zyra, do të vijojë në të gjithë vendin.
Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj tha se "është klubi i dytë që kthehet në Zyrë, e cila është në shërbim të qytetarëve".