Konkurset, probleme gjatë aplikimit!

2015-08-21 0

Qytetarë të shumtë ankohen se nuk kanë mundur të aplikojnë në konkursin on-line të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në ditët e para të shpalljes së tij. Siç deklarojnë qytetarët për Alsat, të cilët nuk dëshironin të flasin para kamerave me arsyetimin se kjo mund të ndikojë negativisht gjatë procesit të punësimit të tyre, sistemi on-line ka qenë i bllokuar menjëherë pas shpalljes së Konkursit nga Agjencia për administratë dhe ka qenë e pamundur që të plotësohen formularët për të konkurruar në shpalljen e fundit të Sekretariatit. Megjithatë nga Agjencia për administratë mohuan të ketë pasur ndonjë problem teknik që nga dita e shpalljes së konkursit më 29 janar. Sipas tyre deri më tani procesi rrjedh në mënyrë të rregullt.

"Sipas kontrollit që kemi bërë në sistemin në njësinë për sistem informatikë rezulton që jo vetëm nuk kemi pasur probleme të natyrës teknike, por rezulton që kemi pasur 852 aplikime gjatë dy ditëve të fundjavës së kaluar", tha Agron Seferi, zv/drejtor i Agjencisë për administratë.
Në një rast të tillë sipas Qeverisë nuk ka nevojë as për prolongimin e kohëzgjatjes së konkursit.

"Nëse në të ardhmen nëse gjatë ditëve në vijim nëse konstatohet se mund të ketë ndonjë pengesë teknike atëherë mund të sillet vendim që të vazhdojmë afatin e aplikimit por deri në këtë moment nuk ka pasur problem teknik për punësimin e 200 administratorëve të ri", u shpreh Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Siç njoftojnë nga Agjencia për administratë deri më sot për 200 punësimet e reja në administratë kanë konkurruar 4610 persona. Konkursi zgjat deri më 6 shkurt. Semra Jakupi