MYNIH- Ministri i jJashtëm Iranian, Mohamad Zarif siguron diplomatët e perëndimit se qeveria e Teheranit ka vullnetin e mirë politik në gjetjen e një zgjidhje për ndalimin e projektit nuklear në Iran, në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve ekonomike të vëna nga perëndimi në vendin e tij. Keto deklarata ministri Zarif i bëri pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, duke shtuar se takimi prodhoi një mundësi që duhet kapur.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Munih, Sekretari amerikan tha se muajt e ardhshëm do të garantojnë zgjidhjen përfundimtare për programin e debatueshëm bërthamor të Iranit.
"Me ndihmën e Bashkimit Europian, Gjermanisë, Anglisë, Francës, Rusisë por po ashtu dhe të Kinës, Irani pranoi që të ngrijë dhe të tërheqë programin e tij nuklear për të parën herë në 10 vite. Në muajt në vazhdim ne do të mbetemi të bashkuar, ose të paktën kështu shpresoj, për të garantuar vullnetin pozitiv të Iranit për të arritur në një dakordësim produktiv, që do të zgjidhë shqetësimin botëror mbi programin e tij nuklear, me shpresën se nëpërmjet diplomacisë të mund të zgjidhet gjithçka", tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Irani dhe Agjencia për Energjinë Atomike kanë mbyllur një marrëveshje më 11 nëntorin e shkuar, duke u dhënë akses inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në projektin nuklear të Iranit. Marrëveshja vjen paralelisht me një tjetër dakordësim të arritur nga fuqitë botërore me 24 nëntor në Gjenevë ku u zgjidh ndalja e pasurimit të mëtejshëm të uraniumit nga ana e Iranit për një periudhë 6-mujore, e cila është e mjaftueshmë për të dyja palët për një takim konkludues që do të mbahet më 18 shkurt me shpresën për të arritur në një zgjidhje përfundimtare.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore, ndërkohë që Teherani këmbëngul se programi bërthamor i vendit ka vetëm synime paqësore për përdorim civil.
Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një aktivitet vjetor ku diskutohen sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimi SHBA-Europë për ballafaqimin me problemet aktuale.