A1 Report - Ministria e Brendshme: PD, politikë me krimin, ne po luftojmë

2015-08-21 0

TIRANË- Rezultatet e Policisë së Shtetit, sipas Ministrisë së Brendshme, po shkaktojnë frikë e pakënaqësi te opozita.

Këtë deklaroi sot për median Ministria e Brendshme, ndërsa flet me nota vlerësuese për punën e Policisë së Shtetit dhe "godet" opozitën.

"Ata që deri dje dështuan ta luftonin krimin, sot po ankohen se Policia është rikthyer në krye të detyrës dhe po lufton për rikthimin e shtetit ligjor. Rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e akteve kriminale janë aq domethënëse sa duket se kanë shkaktuar frikë e pakënaqësi jo vetëm te kriminelët, por edhe te ata që me paaftësinë, korrupsionin dhe inkriminimin e tyre i krijuan terrenin e favorshëm krimit të shtrinte matastazat e tij ngado", thuhet në deklaratën e MB-së.

"Prej dy ditësh, përfaqësues të lartë të opozitës janë duke u përpjekur të përbaltin punën e Policisë së Shtetit. Mashtrimet, shpifjet dhe vreri i opozitës vijnë pikërisht në momentin kur policia po tregon se është në krye të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e papërlyer dhe e pandikuar nga tendencat korruptive. Shembulli më i qartë i kësaj qasjeje të re të Policisë së Shtetit është aksioni për zbulimin e një grupi me lidhje kriminale nga më të rrezikshmet, ku po arrestohen persona që deri dje dukeshin të paprekshëm nga ligji", vijohet më tutje në deklaratën e Ministrisë së Brendshme, ku theksohet se "PD ka zgjedhur të bëjë politikë me krimin, ne jemi të vendosur të luftojmë krimin".

"Politika e PD frymëzon krimin, lufta jonë po e zbraps përditë krimin. Përpjekja e dëshpëruar e PD kundër Policisë së Shtetit është e destinuar të dështojë, njësoj siç po dështon kundërveprimi i krimit ndaj aksionit energjik e të vendosur të Policisë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e shtetit janë të vendosura të vazhdojnë luftën kundër kundër kriminalitetit të rrugës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke qenë të bindur se beteja për shtetin ligjor dhe drejtësinë është më e madhe se sa beteja kundër krimit".