Çairi merr aprovimet ligjore për fazën e dytë të sheshit "Skënderbeu"

2015-08-21 5

Komuna e Çairit ka marrë të gjitha pëlqimet e nevojshme ligjore për vazhdimin e projektit për ndërtimin e sheshit "Skënderbeu". Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kanë dhënë aprovimin e tyre për fillimin e fazës së dytë të projektit, pas përfundimit vitin e kaluar të fazës së parë. Aktualisht po vijon përpilimi i projektet final dhe pritet të sigurohet leja e ndërtimit. Pas këtyre procedurave, nga qershori pritet të nisin edhe punimet.

"Për fazën e dytë, Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Transportit kanë dhënë pëlqim. Ne tani përgatisim edhe projektin kryesor. Për momentin punohet në projektin kryesor. Në momentin që do kemi projektin kryesor, do të duhet të jepet leja e ndërtimit dhe të fillojë realizimi i sheshit në tërësi. Ajo duhet të ndodhë përafërsisht nga fundi i muajit qershor dhe fillimi i muajit korrik", tha Xhengiz Hani, Shef i Sektorit për urbanizëm në Komunën e Çairit.

Siç njoftojnë nga Komuna e Çairit, fondet për fazën e dytë janë siguruar nga Qeveria e Maqedonisë.

"Komuna e Çairit i ka siguruar mjetet për ndërtimin e fazës së dytë nëpërmjet Qeverisë të Maqedonisë. Mjetet i administron Ministria e Pushtetit Lokal", deklaroi Xhengiz Hani, Shef i Sektorit për urbanizëm në Komunën e Çairit.

Është ndryshuar edhe plani për fazën e tretë të Sheshit "Skënderbeu", i cili gjithashtu ka marrë pëlqimin nga Këshilli Komunal i Çairit dhe Ministria e Transportit. Benjamin Arifi