LEZHË - Strehoi në banesën e tij Ilir Kupën kur ishte në arrati, është vënë në pranga një prej miqve të të arrestuarit. Agron Zef Picakut nga Perlati i Mirditës, 37 vjeç i janë vënë prangat në banesën e tij në Lezhë. Arrestimi është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme.
Burime nga policia e Lezhës, kanë bërë të ditur se, gjatë marrjes në pyetje, Ilir Kupa ka deklaruar se, 37-vjeçari Picaku kishte qenë personi që e kishte marrë me makinë në kufi dhe më pas e ka strehuar për dy javë.
Në deponimet e Ilir Kupës mësohet se, Agron Picaku e ka shoqëruar të arratisurin nëpër Shqipëri ndërsa më pas është larguar nga banesa e 37-vjeçarit në fshatin Spite të Lezhës, por me origjinë nga Perlati i Mirditës.
Njohja mes Picakut dhe Kupës kanë qenë në Greqi, pasi të dy kanë jetuar në një zonë dhe kanë punuar bashkë. Mësohet se, 37-vjeçari Agron Picaku ka një javë që është kthyer nga Greqia në Lezhë.
ARRATISJA E KUPËS DHE AKUZAT QË RËNDOJNË MBI TË
Ilir Kupa është arratisur nga burgu i Trikalasë më 23 mars 2013, bashkë me 10 shqiptarë të tjerë. Arratisja u mundësua nga Flamur Sinani që ishte personi kyç. Rojet u morën peng dhe shqiptarët mundën të arratiseshin.
Më 30 mars 2013, grekja 25-vjeçare Katerina Zogali, u qëllua me armë, gjatë shkëmbimit të zjarrit të Marian Kolës dhe të arratisurve të tjerë me policinë, teksa makinat ishin në ndjekje e sipër.
Në muajin maj të vitit 2013, Ilir Kupa dhe Marian Kola ishin gjithashtu përgjegjës për marrjen e 1.000.000 eurove nga një bankë greke. Gjithsej ata kanë qenë të lidhur me 69 plaçkitje.
Gjatë qershorit, Klement Cala mbajti peng disa banorë në një fshat dhe grabiti një market, duke kryer një plagosje. Pesë protagonistët e ngjarjes janë pjesë e të arratisurve nga burgu i Trikallasë.
Në 17 qershor 2013, punonjësi i policisë, 37-vjeçari Jorgo Andritsopulu, u vra në Greqi, në vendin e quajtur Distomu, ku u akuzua Marian Kola dhe Ilir Kupa, por që ende policia po heton.
Më 2 korrik, policia qëlloi dhe vrau një tjetër të arratisur. Policia e identifikoi personin e parë me anë të shenjave të gishtërinjve, si Edison Lika, 25 vjeç. Tjetri ishte xhaxhai i tij Kujtim Lika.
Gushtin e 2013-ës u panë për herë të fundit gjurmë të Kupës në Greqi. Prej asaj kohe kohe, dyshohet se kaloi në Shqipëri, ku u kap më 25 Janar 2014.