A1 Report - Haxhinasto inspekton portin e Durrësit:Rishikim të konçensioneve

2015-08-21 0

DURRES - Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se do të ketë rishikim të koncesioneve të dhëna për shërbimet ndaj pasagjerëve në portin e Durrësit. Gjatë një inspektimi në terminalin e pasagjerëve, ministri Haxhinasto i shoqëruar edhe nga përfaqësues të pushtetit vendor në Durrës, u shpreh se te gjitha konçesionet që nuk plotesojnë kostot e fitimit dhe që nuk konkurojnë me portet e tjera në rajon do të rishikohen dhe do të anulohen në rast se do të jetë e nevojshme.

"Në të gjitha ato të cilat nuk garantojnë rritje volumi shërbimimesh, rritje cilësie shërbimesh, duke aplikuar kostot të ngjashme, rekord kosto konkurruese, sigurisht do të rivlerësohen" u shpreh ministri Haxhinasto.

Haxhinasto ka inspektuar po ashtu edhe se si realizohen shërbimet ndaj udhëtarëve nga kompanitë e lundrimit.

"Objektivi i kësaj qeverie është të rrisë konkurrueshmërinë e portit, të rrisë cilësinë e shërbimeve, dhe të ulë koston e shërbimeve me qëllim që të shërbehet sa më mirë, qoftë komunitetit të biznesit, qoftë edhe qytetarëve, pasagjerëve që përdorin shërbimet e portit të Durrësit", deklaroi ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Ministri kërkoi të rritet cilësia e shërbimit në portin e Durrësit dhe të rriten standartet pasi sipas tij turizmi në këtë qytet përbën një potencial akoma të pashfrytëzuar të ekonomisë shqiptare.