Informacionet që vijnë nga CIA duhet shqyrtuar me kujdes, pavarësisht gjendjes aktuale të sigurisë që duket të jetë stabile. Ekspertët vlerësojnë se organizata më e fuqishme inteligjente në botë, siç është CIA, mund të dijë diçka më shumë se shërbimet vendore, andaj duhet tu qasemi seriozisht raporteve të CIA-s. Kryetari i PRSD-së Tito Petkovski vlerëson se gjendja është stabile, por raportimet e tilla të CIA-s mund të jenë vërejtje për Qeverinë e Maqedonisë rreth prioriteteve të cilat po i ndjek.
"Nëse dihet prej ku vinë këto vlerësime për gjendjen në Maqedoni dhe rajon, duhet të shihen si vërejtje serioze rreth prioriteteve të Maqedonisë, sepse jetojmë në një rajon tejet turbulent. Jo vetëm që bëhet fjalë për CIA-n, por edhe për një agjenci inteligjence të një shteti si SHBA-të, e cila ende projekton dhe ndërton konfigurimin politik në botë. Nuk ka vend për nënvlerësim. Unë e shoh si vërejtje për qeverinë e Maqedonisë rreth prioriteteve të shtetit. Nëse dihet se prioritet janë të ndryshme për partnerët e koalicionit, situata bëhet edhe më e ndërlikuar", tha Tito Petkovski, kryetar i PRSD-së.
Ish ministri i brendshëm dhe partneri i koalicionit të Gruevskit Pavle Trajanov vlerëson se aktualisht ka një gjendje stabile, por nënvizon se Ballkani është i paparashikueshëm sa i përket sigurisë.
"Të gjitha informacionet që vinë nga shërbimet e fuqishme inteligjente, si ajo e SHBA-së, duhet të shqyrtohen me gjithë seriozitetin, dhe të jenë bazë për thellimin e informatave relevante. Përgjithësisht, vlerësoj se gjendja në Maqedoni është stabile", u shpreh Pavle Trajanov, ish Ministër i Brendshëm.
Drejtori i CIA-së, James Clapper, gjatë një dëgjimi para Komisionit të Posaçëm në Senatin e Shteteve të Bashkuara për kërcënimet mbi sigurinë në botë në vitin 2014, ka përmendur edhe Ballkanin Perëndimor, në veçanti Maqedoninë duke tërhequr vërejtjen e tensioneve etnike për shkak të politikave nxitëse të pushtetit aktual. Clapper ka deklaruar se Qeveria e Maqedonisë vazhdon të nxisë programe që synojnë të inkurajojnë nacionalizmin e maqedonasve etnikë në kurriz të integrimit euro-atlantik të vendit. Benjamin Arifi