A1 Report - Gati amnistia, ja kush kalon nga qelia ne sherbimin e proves

2015-08-21 54

TIRANE- Personat me rrezikshmëri të ulët për shoqërinë dhe ata që kanë kryer vepra penale të "dorës së dytë" do të përfitojnë shpejt nga amnistia që do të shpallë Kuvendi i Shqipërisë.

Në parlament ka mbërritur aktualisht projektligji që parashikon lirim nga dënimi të personave të caktuar, në vartësi të llojit dhe masës së dënimit, kohës së mbetur të dënimit, moshës aktuale të personit të dënuar dhe moshës së personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale.

Përfituesit
Do të "mbyllin hesapet" me burgun personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, të dënuarit me kusht, me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht nga koha e mbetur. Po kështu, ata të dënuar, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar alternativë të dënimit me burgim.

Përfitojnë edhe të dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht nga masa e gjobës; të dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur deri në 3 vjet; të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç e të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.Po kështu, përfitojnë të burgosur, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Qëllimi
Qeveria, e cila ka miratuar projektligjin, është motivuar për një gjë të tillë nga synimi i riintegrimit, rehabilitimit social, ndyshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, arritjes së standardeve evropiane në sistemin penitenciar, si dhe legjitimitetit të duhur kushtetues-ligjor në vendet e vuajtjes së dënimit. Natyrisht, një arsye e fortë ka qenë edhe mbipopullimi i burgjeve në vend.

Amnistia është një masë, nëpërmjet së cilës shteti "heq dorë" nga zbatimi i dënimit për krime të caktuara. Bëhet fjalë për një masë me një natyrë të përgjithshme, që çmohet të jepet dhe të inspirohet për shkaqe të paqtimit social. Ajo konsiderohet si një zgjidhje tjetër për të arritur te një drejtësi të tillë, që të mbrojë, mbi të gjitha, jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor për ata që kanë kryer një vepër penale. Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave thekson se aplikimi i amnistisë nuk duhet parë vetëm si një "akt i mëshirës", por edhe si një akt për të rivendosur legjitimitetin kushtetues në vendet e vuajtjes së dënimit, ku ai është shkelur në mënyrë sistematike.

Qeveria deklarohet e vendosur që tendencës në rritje të kriminalitetit t'i kundërvejë një politikë që synon orientim të prokurorisë në ashpërsimin e dënimeve për veprat penale, për të cilat aplikohet një masë dënimi me burgim mbi pesë vjet dhe procedim më tepër në zgjidhjet alternative për vepra më të lehta.

Free Traffic Exchange