A1 Report - Zjarr në burgun e Rrogozhinës asfiksohen 17 të dënuar

2015-08-21 0

(Pamje nga spitali i Kavajë ku mbërritën disa prej të burgosurve të asfiksuar). Shpërthimi i një bombole gazi është bërë shkak për përfshirjen nga flakët të ambienteve të brendshme të burgut të Rrogozhinës. Zjarri fillimisht ka përfshirë dhomën ku të burgosurit zhvillojnë takimet me familjarët.

Si pasojë e zjarrit që përfshiu ambientet e burgut rreth orës 20:30, 17 të dënuar kanë pësuar asfiksim, ndërsa mësohet se 16 prej tyre ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një i dënuar 27-vjeçar, Marios Habili si pasojë e djegieve që ka pësuar është nisur drejt spitalit të Tiranës, për mjekim më të specializuar.

Marios Habili është i dënuar me 5 vjet burg për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa mësohet se i kishin mbetur dhe 2 vjet burg për të shlyer.

Burime për "A1 Report" konfirmojnë se 8 të burgosur ndodhen tashmë në spitalin e Rrogozhinës si pasojë e asfiksimit, 7 në spitalin e Kavajës, ndërsa një i dënuar ndodhet në spitalin e Durrësit.

I kontaktuar nga "A1 Report" drejtori i Spitalit të Kavajës, Agron Beu tha se të dënuarit që u paraqitën në ambientet e këtij spitali paraqesin kryesisht probleme respiratore, ndërsa njëri prej tyre, i cili kishte pësuar djegie u nis drejt Tiranës.

Në vendin e ngjarjes mësohet se kanë mbërritur zjarrfikëse nga Tirana dhe Kavaja, dhe mësohet se tashmë janë neutralizuar flakët e zjarrit dhe situata është vënë nën kontroll.

Ndërkaq, në ambientet e burgut u rikthye edhe energjia elektrike, e cila u shkëput si pasojë e zjarrit.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forca të shumta policie, ndërsa bëhet me dije se në momentin e rënies së zjarrit në ambientet e burgut ndodheshin mbi 10 persona.

Drejt burgut të Rrogozhinës mësohet se është nisur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të burgjeve nis hetimet për shkaqet e zjarrit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.