Mbetet e paqartë nëse Ministria e Shëndetësisë do të paguajë dëme, dhe sa kundrejt firmës "Vizaris ", pas ndërprerjes së kontratës me vlerë një milionë eurosh për blerjen e aparateve digjitale të Rëntgenit për klinikat dhe spitalet e vendit. Nuk ka informacione madje as, se sa prej pajisjeve të kontaktuara kanë mbërritur tashmë në vend. Ministri i Shëndetësisë, Nikola Todorov, sot refuzoi të jepte shpjegime më të hollësishme lidhur me rrethanat e ndërprerjes së kontratës me firmën, bashkë pronare e së cilës ishte nëna e gazetares Ivona Talevska, Limba.
"Unë dje u përgjigja në Kuvend publikisht, para atyre që më kanë zgjedhur. Theksova se deri tani janë paguar 0 denarë për këtë projekt. Unë përgjigjen time e dhashë publikisht, dy të tjerët nuk dhanë përgjigje, pres që edhe ata të dy do të japin një përgjigje serioze për çështjen serioze", deklaroi Nikola Todorov, ministër i Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë tha se marrëveshjen e shkëputi për arsye etike dhe jo ligjore. Gjithsesi, kjo hap dilemën e dëmshpërblimit që mund të kërkojë kompania "Vizaris". Skandali me firmën "Vizaris" u zbuloi nga LSDM. Nëna e gazetares Ivona Taleska e kishte themeluar këtë firmë, bashkë me shtetasin serb Marko Petroviq. Ivona më vonë doli nga kompania, dhe pasi e fitoi tenderin, si bashkë pronare u kthye nëna e saj. Po ashtu u njoftua se Ministria e Shëndetësisë bëri ndryshime në kushtet e tenderit për t'i mundësuar firmës "Vizaris" të konkurronte. Televizioni Alsat-M edhe sot u përpoq të vihej në kontakt me gazetaren Talevska, por ajo ishte e pakapshme për komente. Bojana Simonoviq