TIRANE-Një telefonatë për bombë në parkingun e Bashkisë së Tiranës dhe Xhamisë së "Et'hem Beut", në qendër të Tiranës ka alarmuar policinë e kryeqytetit.
Telefonata mbërriti në sallën operative të policisë dhe prej orës 10: 30 - 11:30 policia rrethoi zonën e parkimit të automjeteve, në krah të xhamisë dhe të stacioneve të autobusëve në rrugën "28 Nëntori", pranë sheshit "Skënderbej" dhe forcat xheniere kontrolluan imtësisht të gjitha makinat.
Për më shumë se 90 minuta thuajse është paralizuar aktiviteti i Bashkisë dhe ritet e të Premtes së Xhumasë në Xhami.
Ekspertët e njësisë së Xhenios së Repartit Special RENEA, kanë kontrolluar me pasqyra, qenë dhe mjete antieksploziv të gjitha mjetet dhe ambjentet brenda perimetrit të rrethuar nga Komisariati Numër 1.
Nga kontrollet nuk është konstatuar asnjë substacë e dyshimtë apo e rrezikshme, dhe janë kontaktuar pronarët e mjeteve që ndodheshin në parkim të kryenin zhvendosjen e tyre.
Sipas policisë, alarmi ka rezultuar fals dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit të telefonatës, si edhe të motivit për të krijuar një situatë të tillë paniku në qendër të kryeqytetit