A1 Report - 17-vjeçarja tetraplegjike abuzohet seksualisht, mjekët: 4 muajshe shtatzënë

2015-08-21 4

FIER- Një vajzë tetraplegjike e paralizuar, vetëm 17-vjeç ka mbetur shtatzënë në mënyrë të pavullnetshme në një fshat të thellë të Mallakastrës, të quajtur Lapulec.

Policia e qarkut të Fierit ka njoftuar një ditë më parë se një person ende i paidentifikuar ka abuzuar seksualisht me adoleshenten e paralizuar me inicialet Adela Zeka, e cila sipas analizave dhe vizitave të kryera nga mjekët rezulton të jetë 4 muajshe shtatzënë.

Ka qenë nëna e vazjës, ajo e cila ka zbuluar rastësisht shtatzaninë e vajzës, nisur nga fryerja e pakuptueshme e barkut dhe simptomat e tjera.

Dhimbjet që kishte ndjerë vajza në bark i kanë detyruar familjarët ta çonin në spitalin e Ballshit. Këta të fundit e kanë çuar me ambulancë në maternitetin e Fierit.

Sipas shefit të shërbimit të maternitetit Fier, Robert Luto, 17 vjeçarja duhet t'i nënshtrohet ndërhyrjes për abortimin e fetusit, pasi sipas tij, vajza mund të lindë një fëmijë me probleme të theksuara shëndetësore.

"Para dy ditësh është paraqitur në maternitetin e Fierit një paciente tetraplegjike e shoqëruar nga familjarët e vet për probleme shëndetësore. Nga konsulta që i është bërë kësaj paciente ka rezultuar gravidancë 16 javë, pra 4 muajshe, ndërkohe që pacientja është invalide, është tetraplegjike, paciente që trajtohet me kemp dhe është nën kujdestarinë e familjarëve të vet. Në këto kushte ne ishim të detyruar që të bënim denoncimin në polici në mënyrë që të merreshin të gjitha masat për të realizuar mbikqyrjen e rastit.

Problemi shëndetësor që do ta zgjidhim ne si personel mjekësor, ndërsa për problemet e tjera është grupi hetimor që është ngritur për të zgjidhur dhe trajtuar këtë rast që normalisht është i paprecedentë", u shpreh për mediat shefi i shërbimit të maternitetit të Fieri, Robert Luto.

"Nuk lejohet që të mbajë shtatzaninë deri në muajin e fundit, deri në muajin e 9, kështu që bëhet ndërprerje e detyruar e barrës, që quhet abort me induksion, sepse nuk jemi të sigurtë që dhe fëmija që do të lindë nga kjo lloj marrëdhënie, do të jetë i aftë. Ajo nuk është e aftë të kryejë funksionet nënë", tha nëndrejtori i spitalit të Fierit, Kliti Gjerazi.


Po ashtu, pas abortit pritet të bëhen edhe analizat e ADN-së, për të bërë më pas krahasimin me personat e dyshuar dhe për të gjetur autorësinë e krimit.

Vajza banonte së bashku me nënën dhe vëllain e saj 15 vjeçar ndërsa babai dhe dy vëllezërit e tjerë të saj janë në emigracion.

Mjekët, të habitur pasi kanë zbuluar shtatzëninë, kanë njoftuar policinë dhe kjo e fundit ka nisur së bashku me prokurorinë një hetim.

Policia ka marrë në pyetje të afërm dhe pjesëtarë të familjes, por për arsye hetimi nuk jepen të dhëna.

Ndërkohë, deri tani policia nuk ka ende asnjë të shoqëruar apo persona të dyshuar për këtë ngjarje.

Free Traffic Exchange