TIRANE- Në Gjykatën e Krimeve të Rënda Marjon Mitro mohon të jetë porositësi i atentatit me tritol të mbetur në tentativë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe vendosjes së lëndës eksploziv në banesën e kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi.
"Nuk kam pasur pse t'i vë tritolin Besnik Dervishit dhe Ardjan Kollozit pasi i kam miq" mësohet të ketë thënë Mitro para gjyqtares së Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda, në seancën me dyer të mbyllura ku u vlerësua masa e arrestit burg për biznesmenin 42-vjeçar, informon gazetari ynë Arsen Rusta.
Detajet e seancës me dyer të mbyllura janë dhënë nga avokati mbrojtës i Marjon Mitros, Ridvan Ponari, pas përfundimit të seancës gjyqësore.
Seanca u zhvillua nën masa të larta të sigurie.
Pas Mitros u vlerësua dhe masa e arrestit burg për anëtarin tjetër të bandës së tritolit, N. Gj, i penduari i cili pranoi të bashkëpunonte me Prokurorinë për të zbardhur krimet e bandës, dhe çoi më pas në arrestimin e Julian Sinanajt.
N.Gj mësohet të ketë thënë në seancë se i qëndronte deklaratave të policisë.
Ndaj dy të arrestuarve prokurorët e Krimeve të Rënda Behar Dibra e Ardian Nezha lexuan akuzat" "Akte terroriste dhe vrasje të mbetur në tentative ndaj funksionarëve publikë"
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dëshminë e Julian Sinanaj, i arrestuar si vrasës me pagesë për të paktën 20 vrasje në Greqi dhe të paktën 2 vrasje në Vlorë dhe sulme të tjera me eksploziv. Sinanaj, ka treguar Mitron si porositës dhe paguesin e tij për krimet e kryera në Shqipëri.
Sinanaj, ka pranuar se ka marrë 20 mijë euro për bombën me celular që ia ka dhënë Mitros, e cila dyshohet të jetë e njëjta e gjetur nga Garda e Republikës në automjetin e prefektit Besnik Dervishi në hyrje të Kryeministrisë.