FRANCË- Pas disa ditësh Michael Schumacher do të dalë nga koma, kjo është ajo çka është bërë e ditur nga mjekët e tij një muaj pasi pësoi aksidentin teksa po bënte ski. Mjekët kanë deklaruar se pas 8 ditësh do të rishihen kushtet e 7 herë pilotit të Formula 1. Që prej datës 29 dhjetor Michael Schumacher qëndron i shtruar në katin e 5 të Spitalit dhe mbahet në koma artificiale që e ndihmon trurin e tij që të dalë nga trauma.
Ai qëndron i shtrirë në krevatin e spitalit i rrethuar nga familjarët e tij ku nuk dëgjon dhe nuk sheh asgjë, por ai nuk është asnjëherë vetëm, pranë tij qëndron gjithmonë gruaja Corinna Betsch, e cila çdo ditë shkon në Spitalin e Grenoble. Mjekët e repartit të reanimacionit kanë vendosur që ta zgjojnë, pasi thonë se ai nuk është më në rrezik për jetën.
Gjatë këtyre ditëve, mjekët i kanë ulur dozat e ilaçeve për të parë se si do të reagojë kampioni i Formula 1 dhe këtë javë fillon faza e dytë ajo që mund ta rikthejë atë në jetën normale.
Problemi i atyre që e kurojnë nuk është nëse do të arrijnë ta nxjerrin nga koma, por me çfarë do të përballen kur ai të hapë sytë.
Dëmet që ka shkaktuar aksideti janë të mëdha: emoragji cerebrale dhe mpiksje gjaku që kanë kapur anën e majtë të trurit të Schumacher, ku neuronet elaborojnë të folurin dhe komandojnë anën e djathtë të trupit.
Do të jetë një rrugëtim i gjatë, një sfidë e vështirë edhe pas daljes së tij nga koma.