A1 Report - Ukraine, ne pritje te bisedimeve nisin serish perleshjet ne Kiev

2015-08-21 0

KIEV - Ndërkohë që pritet të nisin bisedimet e reja mes presidentit ukrainas Viktor Yanukovich dhe opozitës, në Kiev kanë nisur përleshjet.

Sipas agjencive të shtypit vendase militantët e partisë ultranacionaliste të Svoboda-s kanë tentuar të bindin grupin e ekstremit të djathtë "Spilna Sprava" që të lirojnë Ministrinë e Bujqësisë, të zaptuar disa ditë më parë nga protestuesit.

Rrëmujat kanë nisur me hedhje granatash dhe sipas informacioneve të para bëhet fjalë nga 3 deri në 6 të plagosur. Ditën e martë, (28 janar 2014) Yanukovich pranoi dorëheqjen e kryeministrit të vendit dhe Parlamenti ukrainas shfuqizoi 9 nga 12 ligjet anti-protestë, të cilat ishin miratuar më 16 janar. Shfuqizimi i tyre u miratua me 361 vota pro, nga 226 që nevojiteshin.

Ndërkohë presidenti Yanukovich do të firmosë ligjin për amnistinë nëse protestuesit do të ndalojnë protestat dhe do të lirojnë menjëherë sheshin e Kievit dhe ndërtesat e institucioneve që kanë zaptuar, të heqin bllokimin e rrugëve dhe të autostradave.

Por kjo gjë kundërshtohet nga opozita, duke thënë se nëse nuk do të votohet ligji për amnistinë protestat do të vazhdojnë, kështu është shprehur lideri i opozitës ukrainase Svaboda Oleh Tyahnibok.

Yanukovich është tashmë i izoluar, ndërkohë që një nga liderët e opozitës Arseni Yatseniuk dhe Vitali Klitschko kanë refuzuar çdo lloj detyre në qeveri, ndërkohë që presidenti nuk pranon të jape dorëheqjen.

Yanukovich ditën e martë ka komunikuar në telefon me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, ku i ka parashtruar krizën që ka pushtuar Ukrainën, ndërsa Biden nga ana e tij i ka kërkuar që duhet të negociojë me opozitën.