A1 Report - Kapet në Rinas, porositesi per atentatet e Dervishit e Berberit

2015-08-21 2

TIRANE- Tenton të largohet nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit "Nënë Tereza", Marjon Mitro 42 vjeç i dyshuari si porositësi i eksplozivit C4 të vendosur ndaj Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe atentatit ndaj kreut të komunës Qendër, Vlorë, Fredo Berberi.

Policia e kryeqytetit bën me dije se për Marjon Mitro, nga qyteti i Vlorës, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë masën e arrestit burg në mungesë dhe në fshehtësi të plotë për arsye të hetimit.

Burime policore kanë bërë të ditur se, arrestimi i Mitros është bërë gjatë një operacioni të koduar "Mega Operacion", gjatë të cilit janë arrestuar edhe Ilir Kupa dhe Julian Sinani.

Mësohet se, Marjon Mitro ka pasur një biznes të tij në zonën e Ujit të Ftohtë, bar kafe që është prishur nga strukturat e shtetit gjatë aksioneve të fundit kundër ndërtimeve pa leje.

Burimet nga policia bënë me dije për A1 Report se Mitro ishte në vëzhgim policor prej disa kohësh dhe është prangosur pikërisht sot teksa tentoi të lërë Shqipërinë nëpërmjet Rinasit.

Aktualisht i riu nga qyteti i Vlorës është i dyshuari kryesor për shpërthimet me eksploziv në qytetin bregdetar është duke u marë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Operacioni për kapjen e Marjon Mitros është mbajtur në fshehtësi të plotë, pasi policia ka identifikuar dhe disa kontakte të Mitros në qytetin e Vlorës dhe Tiranës gjatë kohës që ka survejuar këtë të fundit për disa javë.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, operacioni i koduar "Mega operacion" është duke vazhduar me kontrolle në qytete të ndryshme. Sipas tyre, po zhvillohen kontrolle në banesat e Marjo Mitros, Julian Sinanit, etj.

Kreu i komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi mbeti i plagosur, si pasojë e shpërthimit të makinës së tij një fuoristradë Benz Mercedes në qendër të Vlorës më 20 janar 2014. Ndërkohë që më 13 dhjetor 2013 Dervishi i shpëtoi një atentatit, pasi garda e kryeministrisë zbuloi tritolin që ishte vendosur në makinën e tij e cila ishte parkuar në oborrin para kryeministrisë.

ORA 14: 10 ARRESTOHET I KERKUARI PER SULME TERRORISTE
Një person i shpallur në kërkim për sulme terroriste me eksploziv në Tiranë është arrestuar në aeroportin "Nënë Tereza" (Rinas).

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Shtetit informojnë se i ndaluari është Marjon Mitro, nga Vlora dhe ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet për përfshirjen në disa raste të shpërthimeve me tritol në distancë që kanë ndodhur në Tiranë.

Mësohet se Mitro ka tentuar të largohej nga Shqipëria pasi kishte dijeni që ishte në ndjekje të policisë.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi dje në komisionin e sigurisë se sulmet me eksploziv do të trajtohen si akte terroriste.