SHKODER - Një 15-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se është një nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Shkodër mëngjesin e sotëm, ku një sasi eksplozivi ishte vendosur në derën e apartamentit në pronësi të tregtarit të makinave të përdorura Bledar Canga. Ndërsa në kërkim është shpallur 22-vjeçari, Shkëlzen Gjenia. Një sasi eksplozivi ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në derën e apartamentit në pronësi të Bledar Cangajt, tregtar makinash në qytetin e Shkodrës, ndërsa gjykohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Banesa ku ndodhi shpërthimi ndodhet në hyrje të qytetit verior në vendin e quajtur "kompleksi URA" në lagjen "Salo Halili". I pyetur në lidhje me ngjarjen, tregtari ka deklaruar vetëm se nuk kishte asnjë konflikt me njeri.
"Nuk kam konflikte me asnjeri, nuk e di se prej kujt e kam këtë tritol. Më kanë terrorizuar familjen", ka deklaruar Cangaj i pyetur nga media.
Mësohet se nga shpërthimi i lëndës eksplozive banesa është dëmtuar shumë.
Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi në banesë kanë qenë 8 persona vetë tregtari Cangaj, gruaja e tij, dy fëmijët, prindërit e tij dhe motra me një fëmijë.
Policia thotë se nga shpërthimi nuk ka dëmtime në njerëz. Ka vetëm dëme materiale.
Bëhet e ditur se, Cangaj sillte makina nga Gjermania dhe Italia ndërsa më pas i shiste në Shqipëri. Por bëhet e ditur se, kohët e fundit ai ka qenë i papunë.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë të Drejtorisë Policisë Qarkut, Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë disa persona, janë kryer disa kontrolle banesash dhe po punohet intensivisht për identifikimin, zbulimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.