Autoritet greke vazhdojnë t'i qajnë hallet me kolegët e tyre shqiptarë, por jo me ata të VMRO DPMNE-së. Edhe në takimin e një dite më parë të dy ministrave të mbrojtjes Xhaferi dhe Avramopulos, Athina zyrtare riafirmoi qasjen konstruktive të saj, ndërsa u ankua nga qasja populiste dhe nacionalizmi që zhvillohet në Shkup.
Ministër, jam i sigurt se edhe ju besoni se historia na ka mësuar që respekti ndaj historisë, qasja e sinqertë dhe reale, ballafaqimi me dallimet ka qenë gjithmonë bazë për përparim dhe prosperitet. Nga ana tjetër, populizmi dhe nacionalizmi nxisin, siç është dëshmuar izolim, tensione, paqëndrueshmëri dhe krizë", deklaroi Dimitris Avramopulos, Ministri i mbrojtjes kombëtare të Greqisë.
Edhe Ministri Talat Xhaferi theksoi përgjegjësinë e politikanëve në të dy vendeve, me qëllim të përafrimit të dy popujve dhe thellimit të bashkëpunimit në çdo sferë.
"Jam i bindur se porositë e dhëna janë të sinqerta dhe së pari duhet të arrijnë tek qytetarët dhe institucionet tona të cilat me të gjitha kapacitet do të duhen të angazhohen drejt zgjidhjes, së një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes e cila ende është ndarëse, çështja e emrit", tha Talat Xhaferi, Ministër i mbrojtjes i Maqedonisë.
Megjithatë qasje e tillë e Greqisë për ish ambasadorin Risto Nikovski, lidhet me synimet greke për të krijuar përçarje në Maqedoni.
"Bashkëpunimi është një anësh dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Pala greke me qëllim i fton ministra shqiptar në Qeveri dhe tregon se dëshiron të demonstrojë ndarje në Maqedoni. Mos harroni se Venizelos në Paris deklaroi se shqiptarët në Maqedoni e përkrahin qëndrimin grek, pra keqpërdorin edhe publikisht...ne bëhemi pre e grackës së Greqisë dhe kjo është e dëmshme për Maqedoninë. Qeveria duhet të marr hapa serioz në këtë drejtim dhe të mos lejojë manipulime të tilla me palën maqedonase", u shpreh Risto Nikovski, ish ambasador.
Për ministrin Xhaferi, ky ishte takimi i dytë me homologun Avramopulos, pas atij të shtatorit. Thuajse të gjithë zyrtarët e BDI-së janë takuar me homologët e tyre grekë. Teuta Arifi, në cilësinë e zv/kryeministres për çështje evropiane u takua me kolegun Teodoros Pangalos, ndërsa edhe pasardhësi i saj Fatmir Besimi zhvilloi dy takime me kolegun e tij grek Dimitris Avramoplus. Takime të drejtpërdrejta me autoritet greke pati edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili në fillim të shtatorit të vitit të kaluar takoi zv/kryeministrin grek Evangelis Venizelos. Nga ana tjetër pavarësisht ftesave të shumta të kryeministrit Gruevski dhe ministrave të tjerë të VMRO DPMNE-së, deri tani nuk ka pasur përgjigje pozitive nga kolegët e tyre grekë. Semra Jakupi