Shkodër, eksploziv banesës së tregtarit të makinave

2015-08-21 1

SHKODER - Një sasi eksplozivi është vendosur në derën e apartamentit në pronësi të Bledar Cangajt, tregtar makinash në qytetin verior. Banesa ku ndodhi shpërthimi ndodhet në hyrje të qytetit të Shkodrës. I pyetur në lidhje me ngjarjen, tregtari ka deklaruar vetëm se nuk kishte asnjë konflikt me njeri.

"Nuk kam konflikte me asnjeri, nuk e di se prej kujt e kam këtë tritol. Më kanë terrorizuar familjen", ka deklaruar Cangaj i pyetur nga media. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një prej apartamenteve në katin e pestë të një pallati në vendin e quajtur "kompleksi URA" në lagjen "Salo Halili". Mësohet se nga shpërthimi i lëndës eksplozive banesa është dëmtuar shumë.

Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi në banesë kanë qenë vetëm 8 persona. Mësohet se në banesën në momentin ku ndodhi shpërthimi ndodhej, vetë tregtari Cangaj, gruaja e tij, dy fëmijët, prindërit e tij dhe motra me një fëmijë. Policia thotë se nga shpërthimi nuk ka dëmtime në njerëz. Ka vetëm dëme materiale.

Bëhet e ditur se, Cangaj sillte makina nga Gjermania dhe Italia ndërsa më pas i shiste në Shqipëri. Por bëhet e ditur se, kohët e fundit ai ka qenë i papunë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë të Drejtorisë Policisë Qarkut, Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë disa persona, janë kryer disa kontrolle banesash dhe po punohet intensivisht për identifikimin, zbulimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.

Free Traffic Exchange