Ilir Kupa deklaron se nuk ka lidhje me grabitjen e argjendarisë në TEG dhe se dy armët që i janë sekuestruar momentin e arrestimit nuk do i përdorte për policinë shqiptare por atë greke e cila thotë i kanë vrarë 3 shokët sipas tij pas shpine.
"Nuk kam lidhje me grabitjen e argjendarisë në TEG. Kërkoj që të mos më ekstradoni në Greqi. Shteti shqiptar të zbardhë vrasjen e shokëve të mi në Greqi"- tha Ilir Kupa pas hekurave në sallën e gjyqit, paraditen e sotme ku doli për vlerësimin e masës së arrestit.
I arratisuri nga burgu i Trikallasë në mars të 2013 u arrestua të shtunën me dy pistoleta dhe mes të shtënave nga policia e Tiranës. Për dy armët e sekuestruara Kupa deklaroi se nuk donte t'i përdorte ndaj policiëve në Shqipëri, por ndaj oficerëve të Interpol Athinës, pasi autoritet e atjeshme i kanë vrarë 3 shokët sipas tij pas shpine.
Ndryshe nga deklaratat në polici, Kupa mohon të ketë lidhje me grabitjen në TEG dhe deklaron se nuk ka konsumuar asnjë vepër penale në Shqipëri, përveç armëmbajtjes.
"Nuk kam kryer asnjë krim këtu në Shqipëri, përveç armëmbajtjes pa leje"- tha ai. Ai i kërkon shtetit shqiptar të mos e ekstradojë drejt Greqisë. Pasi dëgjoi pretendimet e avokatit mbrojtës dhe prokurorisë, Gjykata dha masën e arrestit.