SHKODER- Borxhi prej 10 milionë lekësh të reja, (100 mijë dollarë) mendohet se është shkaku i vrasjes së Florian Sterkajt të dielën e 26 janarit në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se sherri i djeshëm, mes Florian Sterkajt dhe Pal Prronit ka pasur pikërisht këtë motiv.
Policia e qarkut të Shkodrës ka shoqëruar deri tani 7 persona, kryesisht dëshmitarë në vendgjarje, por ende nuk ka rënë ende në gjurmët e autorit.
Blutë e Shkodrës kanë ushtruar disa kontrolle edhe në banesën e Prronit në fshatin Grudë e Re në komunën Rrethina, por nuk është gjetur asgjë e dyshimte. Po kështu janë ngritur edhe disa postoblloqe në aksin Shkodër-Hani I Hotit për kapjen e autorit të krimit dhe mbledhjen e provave.