A1 Report - Plumba autobusit Athine-Tirane Deshmia: I morem per barinj

2015-08-21 3

MEMALIAJ -- Disa orë pasi autobusi i linjës Athinë-Tiranë u sulmua me armë zjarri në një pritë në të dalë të qytetit të Memaliajt, menaxheri i linjës i cili ndodhej në autobus rrëfen për "A1 Report" sesi rrodhi ngjarja.

Edmond Tafa, menaxher i linjës, ka qenë i ulur pranë shoferit kur ka pikasur i pari një person në cep të rrugës. Për shkak të errësirës, pasi ora shënonte 01:30 e së hënës, Tafa ka menduar se ishte bari. Por në momentin që autobusi ka ulur shpejtësinë, janë dëgjuar të shtënat me armë në drejtim të autobusit, por duke qenë se të shtënat dallohej se vinin nga armë të ndryshme, menaxheri thotë se mund të ishin më shumë se dy vetë ata që i sulmuan.

Autobusi, ku ndodheshin 22 pasagjerë, po udhëtonte në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër në afërsi të kthesës së Vasjarit, kur është sulmuar dhe si pasojë mbetën dy persona të plagosur: Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani, në gjëndje të rëndë dhe Qebarie Dihani, 19 vjeçe nga Fieri.

Pasagjerët e autobusit, mes tyre dhe i ati i të plagosurës, të intervistuar nga "A1 Report", treguan sot në mëngjes se autobusi po lëvizte avash për shkak të rrugës së keqe dhe në momentin kur është qëlluar i kanë thënë të mos ndalej port ë ecte me shpejtësi.

INTERVISTA PER "A1 REPORT": JA SI NA SULMUAN
Si e kujtoni momentin kur ju sulmuan?
Sapo kaluam Memaliajn. Është një kanal. U detyruam të ulim shpejtësinë. Atje na kishin bërë pritë. Ishte shoferi dhe unë, pranë pasagjerët.

Si e kuptuat ju?
Se pamë një njeri 3 m larg autobusit. Na u duk si bari. Aty ishte errësirë e plotë. Në atë moment vetëm kur dëgjojmë që na gjuajti.

Nga cila anë ju gjuajtën fillimisht?
Nga krahu i majtë.

Kjo është goditja e parë?
Shoferit i thamë jepi makinës me shpejtësi të madhe e pastaj dëgjuam, 5-6 gjuajtje kallashi.

U shqetësuan njerëzit?
Njerëzit u shqetësuan sigurisht dhe u shtrinë poshtë në autobus. E shtuam shpejtësinë e autobusit. Diku 8-10 km na doli policia përpara dhe aty hapëm krahun. Ndaluam se ishin dy anash të evidentuar që na qëlluan, por mund të ishin dhe më tepër. Njëri gjuajti me kallash, dikush tjetër me armë ose çifte.

Sa pasagjerë ishin në autobus?
22 persona. Plumbat na çanë radiatorin.

Si e kuptuat për vajzën dhe djalin që ishin plagosur?
Kur ndaluam 8 apo 10 km më larg, atëherë e kuptuam që dy pasagjerë ishin të palgosur se ajo vajza ishte e gjakosur, kurse ai djali nuk lëvizte fare.

ORA 12:45 AUTOBUZI I LINJËS ATHINË-TIRANË, MBËRRIN NË KRYEQYTET
Autobuzi i linjës Athinë-Tiranë, i cili u qëlluan në një pritë në afërsi të Memaliajt me armë zjarri, ka mbërritur rreth orës 12:45 minuta të mesditës në kryeqytet. Shenjat e plumbave dhe dëmtimet që ka pësuar autobusi janë të dukshme.

Free Traffic Exchange