PODGORICË - Në zgjedhjet lokale të së dielës në Mal të Zi, partia e Milo Gjukanoviçit ka arritur të marrë shumicën e mandateve në Asamblenë e Ulqinit. Pas 24 vjetësh, kjo komunë me shumicë shqiptare nuk do të udhëhiqet nga një parti shqiptare.
Kryetari i deritashëm, Nazif Cungu ka thënë se nuk e ka pritur humbje të partisë së tij, Forca e Re Demokratike, e cila ka marrë tetë vende në Asamble, ndërsa partia e Gjukanoviçit ka marrë një më shumë, 9 asamblistë.
Në një deklaratë të partisë së Nazif Cungut thuhet se, e pranojnë humbjen derisa do të punojnë që në zgjedhjet e ardhshme të rimarrin pushtetin në qytetin e Ulqinit.
"Cungu shtoi se padyshim që nuk e priste një rënie të tillë në këto zgjedhje por gjithësesi ky rezultat do të shërbente si shkollë për Forcën dhe kjo parti do të punonte më shumë e më mirë në të ardhmen.
Në fund kryetari i Forcës deklaroi se pavarsisht nga kjo betejë, lufta e Forcës në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe në përmbushjen e programit të vetë politik nuk do të ndalet, por do të vazhdojë edhe më fuqishëm në të ardhmen", thuhet në deklaratën e Forcës së Re Demokratike.