A1 Report - Reforma territoriale, PS, Klosi: Ne pritje te kompromisit te PD

2015-08-21 0

Mazhoranca ka kërkuar edhe sot, që opozita të bëhet pjesë e komisionit për reformën territoriale. Nga selia e Kuvendit, deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka deklaruar sot, 26 Janar 2014, se "jemi në pritje të kompromisit të PD-së". Deklarata e Klosit është bërë rreth orës 11:40 minuta.

Ai tha se, mazhoranca i ka votat për ta miratuar këtë reformë në Kuvend, por "Jemi në pritje të konsensusit."
"Reforma administrative është pjesë e axhendës së qytetarëve, jo e opozitës", është shprehur Klosi para mediave, duke pohuar se reforma territoriale nuk mund të lihet pas dore.

"Si anëtar i grupit të punës për reformën administrativo-territoriale të aleancës për Shqipërinë Europiane, vazhdoj të theksoj se jemi në pritje të një reflektimi pozitiv nga ana e opozitës, për tu bërë pjesë e kësaj reforme kaq të rëndësishme, e cila ka më shumë se 20 vjet që lihet pas dore. Por ne vazhdojmë të jemi aty për t'i kërkuar atyre që të marrin pjesë në këtë reformë. Një reformë, e cila duhet të dalë nga axhenda opozitare dhe të bëhet axhendë e qytetarëve. Është e vërtetë ajo që thatë ju, se ne kemi 3/5 e votave në parlament por është gjithashtu e vërtetë, që ne kemi shprehur të gjithë vullnetin që opozita të jetë pjesë e kësaj reforme. Opozitës i kemi afruar që të ketë gjysmën e anëtarëve ne komision, gjithashtu i kemi afruar që të ketë edhe të drejtën e vetos për çdo vendimarrje të këtij komisioni. Ndërkohë nga ana e Partisë Demokratike, vazhdojmë të kemi qëndrime refraktare", ka thënë Klosi.

Ai ka komentuar se Lulzim Basha, "si kryetar bashkie u ka kthyer kurrizin interesave të qytetarëve të kryeqytetit. Por edhe si mëkëmbës i liderit të opozitës, padrinos së opozitës vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Duke ribërë kështu një gabim dhe faj të madh të opozitës për të mos marrë pjesë në këtë reformë kaq të rëndësishme, e cila nuk mund të lihet dhe nuk do të lihet pas dore ashtu siç është lënë në këto 20 vjet".

I pyetur se sa do të merren parasysh kërkesat e PD-së, të cilat janë bërë publike, Klosi u përgjigj: "Nuk besoj se ju të medias keni ndonjë kërkesë më shumë se ato që janë bërë publike. U kërkua veto, ajo u dha. U kërkua numër i barabartë anëtarësh, ajo u dha. U kërkua që kjo reformë të shkëputej nga axhenda politike dhe të bëhej axhendë e qytetarëve, kjo nuk po jepet. Jemi në pritje të kompromisit", deklaroi deputeti i PS-së, Blendi Klosi.

Free Traffic Exchange