Brenda dy ditëve, hotelet më të mëdha të zonës së Dhërmiut do të shemben.
Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vazhdon aksionet e shembjes së ndërtimeve pa leje në Dhërmi. Bëhet e ditur, se shembja e hoteleve pa leje në Dhërmi, do të bëhet brenda dy ditëve. Më pas do të fillojë pastrimi i zonës së ndërtimit të hoteleve.
Ndërkohë, shembja e ndërtimeve pa leje në qytetin e Vlorës ka nisur e do të vijojë sërish, tani në zonën e Plazhit të Vjetër, pikërisht atje ku klasifikohet zona më problematike, pas Plazhit të Ri.
INUK ka përdorur për shembjen edhe eksploziv.
Ditën e sotme u hodh në tokë me eksploziv, hoteli tre katësh i Petrit Çarçanit. Dy ditë më parë aksioni i INUK u ndërpre, jo vëtem për shkak të kushteve atmosferike, por edhe sepse pronari i hoteliit i kërkoi INUK afat derisa të hiqte objektet nga hoteli.
Kanë mjaftuar dy ditë afat dhe mëngjesin e sotëm, fadromat e INUK kanë vijuar prishjen e objektit. Deri në këto momente nuk ka patur asnjë kundërshtim nga banorët.
Aksioni i INUK do të vijojë edhe në Himarë, Sarandë dhe më pas fadromat do të rikthehen në Vlorë, ku do të vijojë prishja e objekteve pa leje po që pengojnë projektin e Lungomares në bregdetin e Vlorës.
Sipas burimeve të INUK, në Vlorë do të ketë edhe shembje të disa objekteve pallat më shumë se 6 katësh, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar.