A1 Report - Tirane, bllokohen 200 bombola gazi, ishin jashte standardit

2015-08-21 0

TIRANE- Mbi 200 bombola gazi në gjendje të papranueshme teknike janë bllokuar në Tiranë nga policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit pas një aksioni që ka zgjatur disa ditë.

Drejtori i PMNZSH Tiranë, Shkëlqim Goxhaj deklaron se gjendja e pikave të mbushjes më gaz është jashtë standardeve.

"Rreth 90% e rasteve të flakëve në banesa shkaktohen nga shpërthimi i bomobolave të gazit të cilat janë të pa kolauduara dhe të amortizuara" -- tha Goxhaj.

Ai shtoi se do këmbëngulin që t'i detyrojmë tregtarët e gazit të zbatojnë normat e duhura teknike për të evidentuar kështu çdo rrezik që u paraqitet qytetarëve në banesa, dhe jo vetëm.

Goxhaj shton se sektori i PMNZSH-së në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, do t'i bllokojë të gjitha ato pika që ushtrojnë aktivitet jashtë standardeve të kërkuara evropiane.

"Duke filluar nga java tjetër, Prefekti i Qarkut Tiranë dhe PMNZSH do të zhvillojë takim edhe me drejtues të shoqërive aksionere të cilat ushtrojnë aktivitetin në fjalë, për t'u bërë të ditur përfundimisht rregullat e tregtimit dhe masat disiplinore që do të merren nga ana jonë në rast të verifikimit të shkeljeve" -- tha Shkëlqim Goxhaj.